Lajme Shqip Monday, 11 April 2011 09:53

Koprçë – Dy persona humbën jetën në një aksident automobilistik mbrëmjen e kaluar në rrugën nacionale Korçë-Pogradec.

Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë e qarkut të Korçës bënë të ditur se aksidenti ka ndodhur në orët e vona të natës në superstardën Korçë-Pogradec, në vendin e quajtur Lapidari i Çifligut, kur automjeti me targa TR 22 16 L, me drejtues Ligor Vojkollari, ka goditur shtetasit Genci Çollaku, 35 vjeç dhe Roland Myslimi, 51 vjeç, të dy nga qyteti i Korçës, të cilët po shtynin një automjet tip benz me targa KO 71 20 A, i cili kishte pësuar një defekt. Si pasojë e goditjes të dy personat kanë mbetur të vdekur në vend.

Policia, e cila ka shkuar menjëherë në vendngjarje, ka arrestuar në flagrancë drejtuesin e automjetit që i ka goditur të dy viktimat, Ligor Vojkollarin, 27 vjeç, banues në fshatin Orman të rrethit të Korçës.

Sipas hetimeve paraprake të grupit hetimor, aksidenti ka ndodhur për shkak të shpejtësisë së madhe me të cilën udhëtonte automjeti i drejtuar nga Ligor Vojkollari.