Lajme Shqip Tuesday, 12 April 2011 08:57

Korçë – Policia e Korçës ka arrestuar ditën e martë dy persona që shpërndanin lëndë narkotike.

Sipas burimeve zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut, policia ka finalizuar operacionin e koduar “Start”, duke arrestuar shtetasit, Saimir Jashari, 24 vjeç dhe Ledjon Çela, 20 vjeç, të dy banorë të lagjes numër 4 të qytetit të Korçës dhe ka shpallur në kërkim shtetasin me inicialet B.D. 24 vjeç, banues po në qytetin e Korçës.

Arrestimi i tyre u bë pasi këta persona në bashkëpunim shpërndanin në mjedise të ndryshme lëndë narkotike. Pas arrestimit, nga kontrolli që ushtroi policia mbi këta persona, gjeti dhe sekuestroi edhe 13 gram lëndë narkotike të llojit canabis-sativa.