Lajme Shqip Thursday, 19 May 2011 11:51

Korçë – Agjencia Rajonale e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave Ndërtimore Informale në Korçë, ka përfunduar dokumentacionin e plotë ligjor për legalizimin e ndërtimeve informale në dy zona informale në rrethet Korçë dhe Pogradec, bëri të ditur drejtori i kësaj Agjencie, Julian Kapo.

Sipas tij, specialistët e këtij institucioni kanë përfunduar dokumentacionin për 250 objekte të zonës ndërtimore informale të Barçit dhe për 450 objekte të zonës ndërtimore informale Bulgarec-Libonik, në rrethin e Korçës, të cilat do të dërgohen në drejtorinë qendrore në Tiranë për miratimin e legalizimit. Po kështu, ka përfunduar dokumentacioni ligjor edhe për 800 shtesa pallatesh në qytetin e Korçës dhe 200 të tilla në qytetin e Pogradecit, të cilat janë gati për legalizim.

Deri tani, në rajonin e Korçës janë legalizuar 410 objekte informale, të cilat janë regjistruar edhe në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe janë në proces legalizimi në drejtorinë qendrore të ALUIZNI-t në Tiranë edhe 108 objekte të tjera.

Pranë Agjencisë Rajonale të Legalizimit në Korçë janë bërë 9200 aplikime për legalizimin e ndërtimeve informale.