Lajme Shqip Tuesday, 22 November 2011 09:45

Korçë – Dje në mbrëmje, nga Sektori Kundër Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Policisë  të Qarkut Korçë, është finalizuar me sukses operacioni i koduar “Banesa”, ku është bërë i mundur arrestimi në flagrancë i shtetasve G. K, 15 vjeç,  banues në lagjen nr. 6 në Korçë, Endri T., 32 vjeç, banues në lagjen nr. 3 të Korçës, i punësuar si punonjës policie pranë Institutit të Ekzekutimeve të Dënimeve Penale (punonjës burgu), si dhe Marjus Sh., 19 vjeç, banues në fshatin Dishnicë të Korçës.

Këta shtetas u arrestuan për veprat penale të “Shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie të pasurisë” dhe “Vjedhjes me dhunë”, pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin në mënyrë sistematike për gjatë një viti kanë kanosur e kërcënuar me armë të ftohte (thikë), duke i kërkuar e marrë sasira të ndryshme lekësh dhe sende të tjera (varse floriri), shtetasin me iniciale V.K., 16 vjeç, banues në fshatin Polenë të rrethit të Korçës, aktualisht nxënës në vitin e dytë në shkollën e mesme “Raqi Qirinxhi” në qytetin e Korçës.

Gjatë arrestimit autorëve u janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 2000 mijë lekë të cilat i janë marrë të dëmtuarit, një armë e ftohtë (thikë),  si dhe një autoveturë me targa KO 74-54 B, në pronësi të shtetasit Endri T. .Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë për ndjekje të mëtejshme.