Lajme Shqip Monday, 09 May 2011 12:57

Korçë – Në Komisionin Zonal të Administrimit të Zgjedhjeve nr. 29, Korçë, grupet e numërimit kanë përfunduar numërimin e votave për komunat Bulgarec dhe Drenovë, ku janë shpallur fitues kandidatët e koalicionit të djathtë.

Sipas kryetares së këtij Komisioni, Ivana Shtylla, në komunën e Bulgarecit ka fituar kandidati për kryetar komune i “Aleancës për Qytetarin”, Artur Lisi, me 1700 vota më shumë se kandidati i “Aleancës për të Ardhmen”, Ilir Dule.

Po kështu, grupet e numërimit në këtë KZAZ kanë përfunduar numërimin e votave edhe për komunën Drenovë, ku ka fituar kandidati i “Aleancës për Qytetarin”, Flamur Sala, me 77 vota më shumë se kandidati i “Aleancës për të Ardhmen”, Hekuran Pupa.

Në KZAZ nr. 29, grupet e numërimit kanë nisur numërimin e votave për bashkinë e Maliqit dhe më pas do të vazhdojë numërimi për komunat Voskop, Voskopojë, Dvoran, Vithkuq, Gorë dhe Moglicë.