Lajme Shqip Wednesday, 13 April 2011 14:35

Koplik – Durim Laçaj, vjeç 38, lindur në fshatin Aliaj, Komuna Kastrat, rrethi Malësi e Madhe dhe me banim të përkohshëm në Angli, u arrestua në orët e mesditës së sotme nga forcat e policisë së komisariatit të Malësisë së Madhe, pasi akuzohet për vrasje të mbetur në tentativë, pas një konflikti për motive pronësie me një të afërm të tij.

Sipas zëdhënëses së policisë së Shkodrës, Fatbardha Çelepia, arrestimi në flagrancë i Laçajt u bë pasi ai ka tentuar të vrasë me armë zjarri tip pistoletë të afërmin e tij, Q. Laçaj, vjeç 50, banues po këtë fshat.

Sipas te njejtit burim, “në momentin e kapjes, autorit të ngjarjes iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e proves materiale dy armë zjarri pistoleta, me nga një krëhër më 8 fishekë secila. Nga ana e policisë u kryen të gjitha veprimet e duhura proceduriale e hetimore dhe materialet në ngarkim të 38 vjetorit Durim Laçaj, do t’i kalojnë për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për hetime të mëtejshme”.