Lajme Shqip Friday, 06 April 2012 15:16

Në ditën e dytë të vizitës në Turqi, Kryeministri Berisha zhvilloi një mëngjes pune me Ministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë Ahmet Davutoğlu.

“Në takim u vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera midis të dy vendeve, bazuar në miqësinë e gjatë tradicionale midis të dy popujve. Në veçanti, u vlerësua kontributi i jashtëzakonshëm i Kryeministrit Berisha dhe Kryeministrit Erdogan, në konsolidimin e mëtejshëm të kësaj tradite të shkëlqyer dhe në zgjerimin e bashkëpunimit të frytshëm midis të dy vendeve,” thuhet në një njoftim të kryeministrisë shqiptare.

Po ashtu mësohet se ministri turk ka propozuar që shqiptarët të përdorin konsullatat turke nëpër botë. “Ministri Davutoğlu i shprehu Kryeministrit Berisha gatishmërinë e ministrisë dhe shërbimit diplomatik të Turqisë për të zhvilluar modelet më të shkëlqyera të bashkëpunimit me shërbimin diplomatik shqiptar, përfshi edhe ofrimin e shërbimeve konsullore apo të tjera për qytetarët shqiptare në përfaqësitë turke nëpër botë, në ato vende ku nuk ndodhen përfaqësi diplomatike shqiptare. Kryeministri Berisha e falenderoi ministrin Davutoğlu për këtë gatishmëri bashkëpunimi edhe më të ngushtë dhe shfrytëzoi rastin për t’i përsëritur mirënjohjen e të gjithë shqiptareve për mbështetjen që Turqia i ka dhënë në vijimësi Kosovës dhe njohjes ndërkombëtare të saj,” thuhet në njoftimin e kryeministrisë.