Lajme Shqip Wednesday, 11 July 2012 12:10

Tiranë (PLOTESUAR 19:35)- Komisioni i i posaçëm parlamentarë miratoi sot me konsensus draftin final të Reformës Zgjedhore duke përfshirë nje pjesë të mirë të propozimeve të Partisë Socialiste.

Përfaqësuesi i PS-së, Damian Gjiknuri tha se kjo reformë zgjedhore i jep opozitës shqiptare garanci shumë më të mëdha se ç’ka pasur ndonjëherë. Duke e konsideruar këtë një proces që ka patur tërheqjen e të dyja palëve, Gjiknuri tha se nuk është se janë realizuar të gjitha propozimet e PS-së, kjo edhe për shkak të rekomandimit të ODIHR, siç ishte përdorimi i teknologjisë në zgjedhje.

Lidhur me riformatimin e KQZ-së, Gjiknuri tha se misioni i kësaj KQZ-je kishte mbaruar, dhe riformatimi do të shërbejë për t’i kthyer besimin votuesve shqiptarë. Ndërkaq, përfaqësuesi i PD-së, Oerd Bylykbashi u shpreh se Komisioni përmbylli me sukses punën, duke përfshirë në reformë të gjitha rekomandimet e OSBE/ ODIHR. Ai u shpreh optimist për punën e bërë.

Lidhur me draftin e partive të vogla për korrektimin e sistemit, të dy përfaqësuesit partiak thanë se kanë rënë dakord që Kuvendi mund të gjejë zgjidhjen më të mirë të mundshme. (LajmeShqip.com)

*********************************************

Tiranë – Në limitet e skadimit të afatit të komisionit të posaçëm parlamentar për reformën elektorale, mazhoranca dhe opozita kanë arritur konsensusin për një ndër reformat më të rëndësishme për vendin.

Mësohet se palët kanë rënë dakord për disa nga çështjet të cilat mbanin të bllokuar përmbylljen e Reformës Zgjedhore, siç janë riformatimi i KQZ-së, ankimimi dhe teknologjia e numërimit.

Për sa i përket çështjes së KQZ-së, duket se mazhoranca ka pranuar kërkesën e PS-së për riformatimin e plotë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, gjë që pritet të bëhet në muajin shtator, pas përfundimit të mandatit të komisionit aktual.

Burime të portalit bëjnë të ditur se palët kanë rënë dakord edhe për zgjedhjen me konkurs të kreut të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve si dhe për kontrollin elektronik të kartave të identitetit për Tiranën. Tjetër pikë e rëndësishme është dakordësimi për çështjen e animimeve. Palët kanë rënë dakord që 2 anëtarë të KQZ-së të kenë të drejtë të kërkojnë transparencën.

Drafti përfundimtar pritet të përfundohet dhe të zbardhet pasditen e sotme, rreth orës 17:00, në mbledhjen e fundit të komisionit parlamentar të Reformës Zgjedhore. 12 korriku ishte përcaktuar si afati zyrtar i mandatit të punës së komisionit të Reformës Zgjedhore, i caktuar nga Kuvendi. (LajmeShqip.com)