Lajme Shqip Monday, 02 April 2012 15:36

Komisioni parlamentar i Ligjeve, në vijim të shqyrtimit të p/ligjit “Për gjykatën administrative”, arriti të hënën konsensus për dy çështje: kontratat dhe kolegjin administrativ.

Deputetët, pas mosmarrëveshjeve për to disa ditë më parë, arritën sot kompromisin për ndërhyrje në draftin fillestar, duke miratuar ngritjen e Kolegjit Administrativ, në përbërje të të cilit do të jenë pesë gjyqtarë që vijnë nga Gjykata e Lartë.

Gjatë mbledhjes, deputetët ranë dakord dhe për një nen të draftit, ku flitet për përbërjen e trupit gjykues të Gjykatës Administrative. Kështu, në momentin kur do të shqyrtohen çështje që lidhen me kontratat administrative, do të jenë 3 gjyqtarët që do të përbëjnë trupit gjykues, ndërkohë që çështjet e tjera do të shqyrtohen nga një gjykatës.

Maxhoranca dhe opozita në komision diskutuan dhe mbi amendamentin e opozitës, mbi të drejtën që i jepet institucionit të Avokatit të Popullit për ngritjen e padisë pranë Gjykatës Administrative.