Lajme Shqip Wednesday, 16 September 2015 18:25

Në prag të takimit të Aleksandër Vucicit në SHBA, ku pritet të takohet me Joe Biden, një grup kongresmenës amerikanë – nga më me ndikim, i kanë shkruar një letër Zëvendëspresidentit.

Këtë letër, të cilët ka arritur ta sigurojë Gazeta Express, kengresmenët i rendisin disa fakte diskredituese për Kryeministrin serb.

Fillimisht ia bëjnë me dije Zëvendëspresidentit se mysafiri i tij – dikur i njohur për ndershmëri – tashmë, përmes vëllait të tij, kanë konsoliduar pushtetin e tyre në ekonomi dhe biznes.

Ja letra e plotë e 5 kongresmenëve.

I dashur Zëvendëspresident Biden,

Lidhur me vizitën e planifikuar të Kryeministrit Aleksandër Vucic në SHBA, ne po ju shkruajmë të brengosur me raportimet për përshkallëzimin e situatës në Serbi.

Ne fuqishëm i përkrahim integrimet europiane të Serbisë dhe i duartrokasim përpjekjet e Ambasadës për përforcimin e institucioneve demokratike, respektimin e ligjit dhe avancimin e reformave ekonomike. Ne pajtohemi që duhet t’i asistojmë Serbisë që të bëhet urë lidhës për rajonin si motor për zhvillimin e sektorit privat në rajon.

Mbesim me shprese se ne mund të punojmë se bashku, si kolegë tuaj, në monitorimin e përgatitjeve për vizitën e Kryeministrit serb në SHBA, por disa vërejtje për aktivitetet serbe ngelin prezente.

Fillimisht ne jemi të brengosur nga raportimet se një grup i vogël, i udhëhequr nga vëllai i Kryeministrit, Andrej Vucic dhe dy shokët e tij të ngushtë, Nikola Petrovic dhe Zoran Korac, tashmë e kanë konsoliduar ndikimin e tyre dhe interesat në energji, telekomunikacion, infrastrukturë dhe në të gjitha bizneset e mëdha në Serbi. Marrëdhëniet me Aleksandër Mikhailovic Babakov, përfaqësues i Presidentit rus, Putin, meriton një vëmendje dhe hetim të veçantë.

Së dyti, përkundër mos-aprovimit të Bashkimit Europian, Serbia kohëve të fundit është bërë pjesë e ushtrimeve të përbashkëta ushtarake me Rusinë, të quajtura “Vëllazërie Sllave”.

Së treti, ne kemi marrë vesh se të drejtat e gazetarëve kanë zbritur në nivelin më të ulët që prej rrëzimit të Slobodan Milosevicit. Mediat kontrollohen direkt prej Kryeministrit, familjes së tij dhe ortakëve biznesorë.

Për më tepër, individët që kanë vrarë vëllezërit Bytyci, shtetas amerikan me prejardhje nga Kosova, nuk janë sjell para drejtësisë. Ne jemi të brengosur që është bërë shumë pak progres për këtë rast. Në anën tjetër, Serbia kohët e fundit i ka dënuar 9 persona që kishin djegur Ambasadën e SHBA’së në shkurt të vitit 2008 – shumica e të cilëve u dënuan me kusht, që do të thotë se dënimi do të aktivizohet vetëm nëse përsëritet e njëjta vepër në afat prej dy vitesh.

Kryeministri Vucic ka bërë zotime impresive gjatë vizitës së tij në SHBA në muajin qershor dhe ne mbesim me shpresë se ai do të mbahet përgjegjës për premtimet e tij. Është shpresa jonë se ne mund të punojmë së bashku që t’i analizojmë nëse kanë dhënë fryt ato zotime. Qytetarët e Serbisë dhe komuniteti i bizneseve amerikane do të përfitojë nga transparenca, liria e medias dhe respektimit dhe rendit dhe ligjit nga Kryeministri Vucic.