Lajme Shqip Tuesday, 14 February 2012 16:37

Prishtinë- Vetëvendosje deklaron se marrëveshjet e arritura në mes Prishtinës dhe Beogradit janë në kundërshtim të plotë me vullnetin e qytetarëve të Kosovës.

Glauk Konjufca, deputet i Vetëvendosjes në Parlamentin e Kosovës, tha sot se Robert Kuper ka ardhur në Kosovë, për ta bindur delegacionin për bisedime me Serbinë që ta pranojë fusnotën me emrin, përmes së cilit, Kosova do të përfaqësohet në nisma rajonale.

Sipas Konjufcës, kjo fusnotë përmbanë brenda saj rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

 “Kur u bë publike si mundësi, për shkak të reagimit të hovshëm të opinionit publik dhe politik, qeveria filloi të thotë se ata kurrë nuk do ta pranonin që të përfaqësoheshin përmes rezolutës 1244. Lëvizja Vetëvendosje ka informacion se qeveria e Republikës së Kosovës është e gatshme ta pranojë zgjidhjen, që është rezoluta 1244 brenda fusnotës, që e përmban emrin Kosovë në përfaqësimin e nismave rajonale”-tha ai.

Konjufca, po ashtu bëri të ditur se Policia e Kosovës sot ka arrestuar tetë aktivistë të saj, të cilët po shkruanin në murin e ndërtesës së qeverisë parullën “Kosova Republikë”, derisa kryenegociatorja Edita Tahiri po takohej me ndërmjetësin e bisedimeve Robert Kuper, për të hequr dorë nga Republika. (LajmeShqip.com)