Lajme Shqip Thursday, 03 September 2015 08:17

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, në emisionin Zona B në Klan Kosova, foli rreth marrëveshjes politike VLAN, “Zajednicës”, situatës politike aktuale dhe shpalosi qëndrimet e subjektit të tij karshi proceseve të tanishme

Për marrëveshjen politike VLAN, ai deklaroi se në njëfarë mase e kishin ndjerë që Isa Mustafa mund të bënte atë që bëri – të bashkohej me PDK-në për të bashkëqeverisur, që ishte shkaku pse ata s’e votuan as në fillimet e koalicionit, transmeton Klan Kosova.

“Për Isa Mustafën si Lëvizje Vetëvendosje kurrë nuk kemi votuar – as në rastin e kryekuvendarit sepse vërenim kalkulimet e tij. Ai e dëshironte së pari votën për përfitime personale që pastaj të shkonte tek Hashim Thaçi për ta ngritur pazarin e vet. Mustafa nuk po hynte në negociata me sinqeritet të plotë”, tha ai.

Konjufca tha se projekti i verës së shkuar nga Vetëvendosje qëllim kishte rrëzimin e PDK-së nga pushteti, pasi kjo e fundit është mirëmbajtësja e krimit të organizuar në Kosovë.

“Projekti i fundit i VV-së, i artikuluar gjatë verës së kaluar ishte rrëzimin e PDK-së. Krimi i organizuar në Kosovë në masë të madhe mirëmbahet nga Partia Demokratike e Kosovës pasi ishte në pozitë për shumë vite dhe kjo në aspektin e zhvatjes së parasë publike në nivelin qendror, të prokurimit dhe të kontrollit të gjyqësisë, në aspektin partiak”.

“Me rëndësi ishte që të definohej minimumi i kërkesës konsensuale: që të binte poshtë Hashim Thaçi dhe PDK-ja, sepse e kishin kapur shtetin”.

Aktivisti i njohur i Vetëvendosjes tha se ndërrimi i shpejtë i kursit nga LDK-ja nuk tregon veçse një gjë: që gjithçka ishte e bashkërenduar.

Për më shumë, në këtë ndërmarrje partia më e madhe në vend sipas tij kishte marrë edhe ndihmën e ish kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani.

“Unë mendoj që kanë qenë në koordinim: Lidhja Demokratike me PDK-në për të arritur në atë gjendje. Sepse më ka çuditur ndërrimi i përnjëhershëm i LDK-së. Ky ndryshim i përnjëhershëm i logjikës së LDK-së tregon se ka pasur një negocim të mëhershëm me PDK-në për t’ia bërë kështu. S’i kemi besuar Isa Mustafës, sepse as nuk e kemi votuar për kryeparlamentar”.

“Na u duk që kemi arritur masë të besimit kur e vendosëm firmën në marrëveshjen e shtatorit – Njeriu lidhet për fjale, gomari lidhet për kërpeshi. Kryetari i Gjykatës Kushtetuese doli të jetë njeri pa kredibilitet moral, hiç atë profesional.”

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese ishte skandaloz sepse tha: pushteti është i rezervuar – për Partinë Demokratike – nuk mjafton që ju jeni 63 deputetë, plus minoritetet”.

Por, megjithë dështimin për të qenë pjesë e strukturës Konjufca nuk mendon se Vetëvendosja ka humbur më shumë se LDK-ja pas shpërbërjes së VLAN-it.

“Nëse e vendosë si arritje të thjeshtë dhe formale marrjen automatike të pushtetit, LVV është humbëse, sepse përfundoi në opozitë. Por, në kuptimin e sjelljes politike me përgjegjësi humbësja më e madhe është LDK-ja me tradhëtinë e saj”.

“Unë mendoj që kjo ka qenë tragjedia më e madhe edhe për vetë LDK-në, sepse ajo është formuar si kundërshtim paralel ndaj një sistemi në të cilin punonte Isa Mustafa”.

Konjufca komentoi edhe Marrëveshjet e Brukselit të cilat tha se e kanë dëmtuar qenësinë e shtetit të Kosovës, por siguroi që Vetëvendosja nuk do të ndalet në kauzën e saj.

“Po kompletohet bosnjëzimi i Kosovës përmes Zajednicës, që është ekuivalent i Republikës Serbe. Veriu i Mitrovicës është situatë e realizuar përmes spastrimit etnik që ngjason me legalizimin e Srebrenicës. Kauza e VV-së është rrezikuar me Zajednicën, por ne do t’a fitojmë këtë kauzë. Kurrë s’mund fitosh deri në fitore”, tha ai.