Lajme Shqip Tuesday, 27 August 2013 13:37

Tiranë- Ngjarjet e ndodhura në Përmet kanë sjellë jo vetëm reagimin e qeverisë së Greqisë, por edhe të qyteteve të veçanta të shtetit fqinj. Kështu, qyteti i Konicës, që është në kufi me Përmetin, ka kërcënuar prishjen e marrëdhënieve të binajkëzimit për Bashkinë e Përmetit.

A1 Report bën me dije se ditën e djeshme i është dërguar një letër zyrtare, kryebashkiakut përmetar, nga homologu i tij i Konicës në Greqi, Panagiotis Gargalas, ku shprehet shqetësimi për ngjarjet e ndodhura në Përmet me Kishën Ortodokse.
“Ortodoksëve u është privuar e drejta themelore për të pasur një objekt të tyre ku të organizojnë ceremonitë e ndryshme fetare. Nëse ju i nderuari zoti Jaçe, keni ndihmuar së bashku me stafin tuaj bashkiak, në qetësimin e situatës së atjeshme mes besimtarëve ortodoks dhe kishës nga njëra anë dhe nga ana tjetër organeve shtetërore që morën nën administrim Kishën e Shenjtë, bashkëpunimi ynë ndërmjet dy qyteteve tona binjake, do të vijojë të jetë i shkëlqyer, por nëse kjo nuk ka ndodhur, atëherë ne si bashki, do të kërkojmë një tjetër mënyrë për të zgjidhur këtë problem dhe raportet tona binjakëzuese” thuhet ndër të tjera në letrën e dërguar zyrtarisht nga kryabashkiaku i Konicas Panagiotis Gargalas, në adresë të kryebashkiakut të Përmetit, Gilberto Jaçe, shkruan tema.
Kryebashkiaku i Përmetit ka konfirmuar se ka marrë një letër të tillë, ku i kërkohet llogari.
“Kryetari i Bashkisë së Konicës Panagiotis Gargalas, më ka dërguar një imejl ku lihet shumë qartë të kuptohet se raportet mes dy bashkive që janë binjake me njëra-tjetrën, do të rishikohen nëse bashkia e Përmetit, është e përfshirë direkt në konfliktin në fjalë dhe nëse vetë unë apo dhe stafi im kemi kontribuar për qetësimin e situatës apo të qëndronim indiferent, kjo për kryebashkiakun grek, do të ishte pozitive” sqaron për A1 Report, zoti Jaçe.
Ai u shpreh se do t’i dërgojë një përgjigje homologut të tij të Konicës, për t’i shprehur faktin se askush nuk mund të dalë kundër vendimeve të gjykatës.