Lajme Shqip Tuesday, 01 November 2011 12:14

Ish-oficeri i SHISH, Isa Çopa është vrarë dhe kjo rezulton sipas konkluzioneve që kanë dalë nga ekspertët e grupit hetimor pas verifikimeve të kryera deri më tani. Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se Çopa ka shenja goditje në kokë me mjete të forta mprehëse dhe jo shenja plumbi. Po sipas tyre goditja është bërë para se trupi të digjej.

Ndërkohë, nga hetimet e kryera deri më tani nga Policia dhe Prokuroria e Durrësit rezulton se Isa Çopa është larguar nga zyra e tij në orën 18:15 të datës 24.10.2011 dhe vetëm 15 minuta më pas rezulton t’i këtë dërguar SMS djalit të tij.

Pritet edhe ekspertiza mjeko-ligjore për të përcaktuar nëse vdekja e efektivit të SHISH ka ardhur si pasojë e goditjes në kokë apo e zjarrit.

Fillimisht u ngritën dyshimet nga ekspertët e grupit hetimor se mund të bëhej fjalë për një vetëvrasje, por kjo tezë është hedhur poshtë pas verifikimeve të kryera pasi dëmtimi në pjesën e sipërme të kafkës është kryer përpara djegies së trupit.

Sipas dyshimeve të para, mendohet se vrasja mund të ketë lidhje edhe me ngjarjen ku mbeti i vrarë gjyqtari vlonjat Skerdilajd Konomi.

Mësohet se Çopa po hetonte pronat e Konomit por këto janë hipoteza paraprake që hedhin më tepër hije dyshimi mbi dinamikën e ngjarjeve.