Lajme Shqip Wednesday, 06 April 2011 07:30

Prishtinë – Partitë politike në Kosovë nuk lëvizin nga qëndrimi i tyre, ndërsa kriza që ka përfshirë vendin pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, sa vjen dhe thellohet. Dje ndëmjetësoi ambasadori Dell midis Thaçit, Mustafës e Pacollit. Nuk pati marrëveshje. Sot Jakup Krasniqi takon partitë për koncensus rreth presidentit. Deri tani, pozita as opozita s’i kanë lëvizur pozicionet. Kosova po rrëshqet drejt krizës.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Kristofer Dell mblodhi dje në selinë e ambasadës së tij kryetarin e PDK-së, njëkohësisht kryeministrin Hashim Thaçi, kreun e LDK-së, Isa Mustafa dhe kandidatin për president, Behxhet Pacolli. Biseda është përqendruar kryesisht në gjetjen e një zgjidhjeje të krizës aktuale, por palët nuk kanë shprehur ndonjë qëndrim të qartë sa i takon kësaj çështjeje.

Gjithashtu, përveç një takimi të përbashkët midis krerëve politikë kosovarë, janë zhvilluar edhe takime të ndara me shefin e ICO-së, Piter Feith. Takimet u mbajtën larg mediave dhe nuk u kumtua të jetë arritur ndonjë marrëveshje.

Presidenti në detyrë, Jakup Krasniqi, i ka ftuar partitë politike që sot, e mërkurë, t’i nisin konsultimet për të gjetur një zgjidhje në lidhje me zgjedhjen e presidentit.

Një ditë para takimeve që ka thirrur ushtruesi i detyrës së presidentit, Jakup Krasniqi, PDK-ja (dje) zhvilloi një mbledhje kryesie, në të cilën mungoi kryetari i saj, Hashim Thaçi. Është bërë e ditur se për këtë mbledhje është shprehur kryetari i grupit parlamentar të kësaj partie, Adem Grabovci.

“PDK-ja do të bëjë çdo gjë që është e mundur, që të gjejë një zgjidhje e cila do ta nxirrte vendin nga kriza aktuale”, – tha ai dje. Sipas tij, PDK-ja nuk pranon dot propozimin e LDK-së për një marrëveshje politike, që zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë të mbahen vitin e ardhshëm.

Ndërkohë dje në drekë u njoftua mundësia e tërheqjes së Pacollit nga kandidimi i dytë për postin e presidentit. U bë e ditur se ai është shprehur se do të tërhiqej nga gara nëse kjo është në të mirën e zgjidhjes së krizës. Por një gjë e tillë u hodh poshtë nga ushtruesi i detyrës së kryetarit të AKR-së, Ibrahim Makolli, i cili dje foli dhe për përpjekjet e ndërkombëtarëve për zgjidhjen e krizës institucionale.

“Unë besoj që do të mbizotërojë arsyeja dhe përgjegjësia e klasës politike në Kosovë për t’u dhënë zgjidhje problemeve, me të cilat po përballet vendi. Në këtë mënyrë edhe të hapet rrugë për proceset shumë të rëndësishme, në të cilat ka hyrë Kosova dhe që do të përballet ditëve dhe javëve në vijim. Gjithsesi, besoj shumë që vendi do të ketë president të zgjedhur ditët në vijim”, u shpreh ai.

Sa i takon publikimit të disa emrave për postin e presidentit, AKR-ja me anë të një njoftimi për shtyp u shpreh e shqetësuar, pasi e konsideroi këtë si “lojë politike”.

Kriza me zgjedhjen e presidentit pasoi pas aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese, me të cilin u konstatua se zgjedhja e Pacollit në postin e presidentit në seancën e 22 shkurtit nuk i ka respektuar procedurat kushtetuese, kështu që procesi tani është kthyer në zero.