Lajme Shqip Thursday, 10 October 2013 11:25

Tiranë-Pronarët e një pjese të tokës ku do ndërtohej Xhamia e Namazgjasë, janë zemëruar me qëndrimin e Komunitetit Mysliman.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, zbuloi se pronarët e tokës kishin ofruar territor për Xhaminë e Namazgjasë, në këmbim të ndërtimit të një godine polifunksionale.

Por kur Këshilli Kombëtar i Territorit rrëzoi lejen për godinën polifunksionale, duke lënë në fuqi vetëm lejen për xhaminë, Komuniteti Mysliman doli në mbështetje të qeverisë.

Kjo ka irrituar pronarët e tokës.

Bëhet fjalë për familjen Kruja.

Nipi i kësaj familje, Alban Bala, në një intervistë për GSH thotë se Komuniteti Mysliman i preu në besë.

Edhe Bala, si Basha, thotë se ka rënë i gjithë projekti.

“Bëhet fjalë për një objekt të përshkallëzuar, 3-4-6 dhe 8 kate, në formë shkallareje, i cili ishte bërë në harmoni me projektin e xhamisë, pasi u projektua nga e njëjta studio turke arkitekturore që realizoi projektin e xhamisë. Ne i dhamë dorë të lirë Komunitetit Mysliman që, edhe objektet që do ndërtoheshin në pronën tonë të bëheshin në harmoni me xhaminë, por Komuniteti u tregua i pabesë me deklaratat që nxjerr. Ai thotë se gëzojnë mbështetjen e qeverisë për projektin, duke anashkaluar marrëveshjen noteriale që ne kemi, e cila tashmë u rrëzua,” tha Bala./tema/