Lajme Shqip Saturday, 09 April 2011 14:57

Tiranë – Banorët e Komunës së Parisit, në zonën e Tiranës së Re, zonë e mbipopulluar vitet e fundit, janë ankuar për infrastrukturën në këtë lagje, gjatë takimit që patën me kandidatin demokrat për kryetar bashkie në kryeqytet, Lulzim Basha.
Sipas banorëve problemet në infrastrukturë shkaktojnë pluhur në verë dhe përmbytje në kohë shirash.
Edhe fëmijët janë ankuar për mungesë e këndeve të lojrave. Ata kanë preferuar që të gjitha shqetësimet t’ia japin me shkrim kandidatit për kryetar Bashkie të Tiranës, Lulzim Basha. 
Komuna e Parisit, që i përket njësisë bashkiake numër 5, është një nga lagjet më të prekura nga përmbytjet. Kjo zonë e Tiranës njihet për ndërtimet e shumta dhe për një përqëndrim të madh njerëzish në një sipërfaqe të vogël. Ajo është një lagje krejtësisht e re në Tiranë, ku përveç vendasve, jetojnë edhe familje të ardhura nga rrethet e tjera të vendit.