Lajme Shqip Monday, 13 February 2012 13:48

Komuna e Mitrovicës ka mobilizuar të gjitha potencialet për t’u përballur me kushtet e rënda klimatike dhe borën e madhe që ka krijuar vështirësi për qarkullimin e qytetarëve, sidomos në zonën e Shalës. Në këtë kuadër të këtij problemi janë ndërmarrë një sërë vendimesh dhe masash konkrete, në mënyrë që situata të menaxhohet me sukses.

Kryetari i Komunës, Avni Kastrati, tha të hënën në takimin e Komitetit për Mbrojtje nga Fatkeqësitë Natyrore dhe Fatkeqësi të Tjera, se duhet të aktivizohet i gjithë potenciali komunal, duke përfshirë ndërmarrjet publike, ato private dhe vetë qytetarët për tejkalimin e kësaj situate. U vendos që të krijohen edhe gjashtë grupe të përbashkëta  me zyrtarë komunalë dhe pronarë të kompanive që janë angazhuar për pastrimin e borës me qëllim përcjelljen nga afër të punës në terren.

Kryetari Kastrati tha se këto grupe do të raportojnë përditë për gjendjen në rrugë dhe për ecurinë  e pastrimit të tyre nga bora. “Kjo është një mënyrë e mirë për të rritur përgjegjësinë dhe për të ndikuar në rritjen e efikasitetit”. Në këtë takim u morën edhe një sërë vendimesh që kanë të bëjnë me mobilizimin për t’u përballur me problemet e krijuara nga bora dhe kushtet e rënda klimatike.  Përveç kapaciteteve komunale, ndërmarrjeve publike, policinë, KEK-un, “Ujësjellësin rajonal” etj, përballë sfidës që ka krijuar moti do të organizohen edhe kompanitë private, pronarët e dyqaneve dhe vetë qytetarët. Në anën tjetër, duke pasur parasysh se shumë fshatra të thella malore, sidomos në zonën e Shalës kanë mbetur të bllokuar nga bora, Komuna e Mitrovicës do të marrë në shfrytëzim një motoski nga qendra e skijimit në Bajgorë, e cila do të mundësoj që të mbahet kontakti me zonat e bllokuara. Gjithashtu me anën e kësaj pajisje do të dërgohen edhe ndihma ushqimore në familjet që kanë nevojë.

Drejtoria e Inspektimit, mori përsipër që të punoj për largimin e automjeteve të parkuara në anën e djathtë të rrugëve të qytetit, të cilat janë duke penguar pastrimin e  rrugëve. Drejtori i kësaj drejtorie, Lulzim Zeqiri, njoftoi se prej të martës e deri në normalizimin e situatës, nuk do të lejohet parkimi i automjeteve në rrugët kryesore të qytetit, prej orës 18:00 të mbrëmjes deri në orën 07:00 të mëngjesit. Ai kërkon nga qytetarët që të respektojnë këtë vendim në mënyrë që të lehtësohet pastrimi i rrugëve. Drejtori i Inspektimit, po ashtu tha se pronarët e subjekteve dhe pronarët e shtëpive pranë rrugëve janë të obliguar që të pastrojnë trotuaret para dyqaneve dhe shtëpive. “I kemi njoftuar dhe jemi duke punuar në terren që bashkërisht të kontribuojmë për lehtësimin e qarkullimit për automjete dhe këmbësorë”. Në këtë takim të Komitetit për Mbrojtje nga Fatkeqësitë Natyrore dhe Fatkeqësi të Tjera, i cili është aktivizuar para një jave në kuadër të masave  të gatishmërisë për t’u përballur me problemet si pasojë e kushteve klimatike, u vendos që resorët përgjegjës të komunës të përgatisin një plan për parandalimin e vërshimeve të mundshme pasi të fillojë shkrirja e borës. U tha se do të intervenohet për pastrimin e shtretërve të lumenjve që kalojnë përmes qytetit, si shtrati i lumit Lushtë dhe ai i lumit Trepça. 

Kryetari Kastrati, kërkoi nga KEK-u mos të ketë reduktime të energjisë në këtë kohë, meqë është duke sjell probleme të mëdha për qytetarët, por edhe për ndërmarrjet si “Ujësjellësi rajonal” etj. Gjithashtu, nga Ministria e Infrastrukturës u kërkua që të marrë masa për mirëmbajtjen e magjistrales Mitrovicë-Podujevë. 

Lidhur me gjendjen në terren, drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala, tha se megjithë angazhimin e gjashtë kompanive shumë fshatra në zonën e Shalës janë të bllokuara, e megjithatë ata janë duke punuar vazhdimisht që rrugët të jenë të kalueshme sa më parë. Si problem të madh ai përmendi mospastrimin e rrugës magjistrale Mitrovicë-Podujevë, që është në përgjegjësi të Ministrisë së Infrastrukturës, e cila është e kalueshme vetëm deri në Bajgorë. “Në mungesë të intervenimit nga kompania e kontaktuar nga Ministria, ne po detyrohemi me kapacitetet tona që të punojmë edhe në atë rrugë”. (LajmeShqip.com)