Lajme Shqip Monday, 05 March 2012 17:00

Prishtinë- Në veri të Mitrovicës, situata e sigurisë mbetet e pandryshuar dhe problem serioz mbeten barrikadat në rrugët kombëtare.

Kështu u vlerësua sot në takimin e Komitetit për Siguri, ku marrin pjesë drejtues të strukturave komunale dhe përfaqësues të strukturave të sigurisë.

Kryetari i komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, tha se gjatë dy javëve të fundit nuk ka pasur ndonjë zhvillim që do të ndikonte në ndryshimin e situatës në veri.

“Gjendja vazhdon të mbetet e pandryshuar, ndërsa barrikadat në rrugët kombëtare vështirësojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve, sidomos të banorëve shqiptarë të fshatrave të Leposaviçit”, tha ai, duke përsëritur kërkesën drejtuar autoriteteve të rendit që të jenë më të vendosura për zbatimin e ligjit.

Sipas zyrës së shtypit të komunës së Mitrovicës, kryetari Kastrati ka përmendur si lajm të mirë lirimin e objektit të ish-Jugobankës nga UNMIK-u, të cilin e kanë shfrytëzuar prej vitit 1999.

“Është një zhvillim pozitiv, meqë përreth atij objekti janë larguar rrethimet e betonit duke mundësuar rregullimin e sheshit në atë pjesë të qytetit, si dhe realizimin e projektit të shëtitores, që do të nis këtë muaj”, tha ai.

Për gjendjen e sigurisë foli edhe drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Bexhet Bala, i cili tha se gjatë dy javëve të fundit nuk ka pasur ndonjë incident që do të reflektohej në situatën e përgjithshme të sigurisë.

Ai përmendi si problem serioz vazhdimin e bllokimit të lëvizjes së EULEX-it në veri nga grupet serbe dhe strukturat ilegale që veprojnë atje.

“Javën e kaluar kanë ndodhur disa raste që automjetet e EULEX-it janë bllokuar dhe nuk janë lejuar që të lëvizin drejt pikave kufitare”, tha Bala.

Gjithashtu, ai ceku si shqetësim të shtënat me armë zjarri në veri nga grupet serbe. Sipas tij, “të dielën në mbrëmje grupet serbe kanë festuar në afërsi të Urës së Ibrit fitoren e Putinit në zgjedhjet presidenciale në Rusi, duke shtënë me armë zjarri. Kjo ka shqetësuar qytetarët joserbë në veri”. (LajmeShqip.com)