Lajme Shqip Friday, 26 July 2013 14:16

Tiranë – Komiteti i OKB për të drejtat e njeriut shpreh shqetësim për hetimet mbi ngjarjet e 21 janarit dhe bën thirrje për nxjerrjen e fajtorëve para drejtësisë si dhe kompensimin e familjarëve të 4 protestuesve që humbën jetën gjatë atyre protestave.

Në konkluzionet e publikuara nga ky komiteti pas raportit të dytë të Shqipërisë, i bëhet thirrje shtetit shqiptar të përmbyllë hetimet për 21 janarin duke garantuar standardet ndërkombëtare të hetimit, ndërsa përgjegjësit e ngjarjes të ndëshkohen në mënyrën e duhur.

Po kështu bëhet thirrje që të kompensohen familjarët e 4 viktimave. Ndërkaq, Komiteti shpreh shqetësim që Shqipëria mbetet vend origjine për trafikun e grave dhe fëmijëve dhe i bën thirrje shtetit të forcojë masat ekzistuese për të luftuar trafikun e qënieve njerëzore dhe të hetojë rastet e keqtrajtimit të fëmijëve në rajonet e policisë. Një tjetër fenomen për të cilin shprehet shqetësim është ai i gjakmarrjes, ku komiteti OKB për të drejtat e njeriut i kërkon shtetit të marrë masa për të ndihmuar familjet e ngujuara.

Komiteti i bën thirrje shtetit shqiptar të marrë masa më efektive kundër fenomenit të gjakmarrjes dhe të hetojë në mënyrë efektive krimet e gjakmarrjes. Komiteti shpreh shqetësim edhe për kushtet jo njerëzore të të burgosurve duke bërë thirrje që burgjet e reja të përmbushin standartet ndërkombëtare, raporton BallkanWeb.

Komiteti shpreh gjithashtu shqetësim për raportimet mbi sulmet kundër gazetarëve duke i bërë thirrje shtetit të marrë masa për të garantuar lirinë e shprehjes në të gjitha format.

“Të hetohen rastet e dhunës apo sulmeve kundër gazetarëve dhe të parandalohen dhe frenohen paditë kundër medias” –thuhet tek konkluzionet e këtij komiteti.