Lajme Shqip Wednesday, 16 November 2011 15:45

Tiranë – Komisioni parlamentar i Ligjeve miratoi të mërkurën me konsensus disa ndryshime në kodin rrugor, një prej ligjeve, kalimi i të cilave në parlament kërkon shumicë të cilësuar (84 vota).

Gjatë mbledhjes së sotme, deputetët e të dy palëve në përmbushje të marrëveshjes PD-PS arritur dy ditë më parë në Konferencën e Kryetarëve, ndër të tjera edhe për axhendën e ligjeve me 3/5, arritën të çbllokojnë ngërçin 2 vjeçar me kalimin e këtij pr/ligji, miratimi i të cilit kërkon dhe votat e opozitës.

Vendimmarrja e sotme konsensuale në komisionin e Ligjeve pason atë të një dite më parë në komisionin e Veprimtarisë Prodhuese, ku palët ranë dakord për kalimin e ndryshimeve në tre kode, atë ajror, detar dhe hekurudhor, bashkë me amendimet që janë bërë në fillim të muajit shtator në këtë komision.

Sipas kalendarit të punimeve parlamentare është parashikuar që disa nga ligjet me 3/5 do të kalojnë në Kuvend brenda tre javëve të ardhshme, ndërsa të tjerat si kodi penal apo ‘gjykata administrative’, do të përfshihen në kalendaret tre javore me angazhimin që ky proces të përfundojë brenda muajit mars të vitit të ardhshëm.