Lajme Shqip Wednesday, 04 April 2012 14:30

Tiranë- Komisioni parlamentar i Ligjeve miratoi të mërkurën me votat e maxhorancës kandidaturën e Elvis Cefës për anëtar të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, për vendin e mbetur vakant pas dorëheqjes së nënkryetarit të KLD-së, Kreshnik Spahiu.

Deputetët e opozitës nuk morën pjesë në votim në shenjë kundërshtimi ndaj kandidaturës në fjalë, ndërkohë që PS nga ana e saj propozoi kandidaturën e Ardian Vishës, e cila nuk u pranua nga shumica.    

Një ditë më parë PD-ja propozoi kandidatin Elvis Cefa, aktualisht drejtor i përgjithshëm i Agjensisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, për postin në KLD, por përfaqësuesit e PS-së në komision sugjeruan sot që kjo kandidaturë të shqyrtohet në një moment të dytë.

Sipas nënkryetarit socialist të komisionit Fatmir Xhafaj, dokumentacioni i Elvis Cefës nuk është i plotë dhe ka mangësi. “Dokumentacioni i kandidatit ka mangësi në raport me përmbushjen e kritereve ligjore”, tha Xhafaj.

Kandidati Cefa në prezantimin që bëri para anëtarëve të komisionit të Ligjeve theksoi se objektiv i punës së tij është rritja e transparencës në KLD.   

Një ditë më parë, deputeti Viktor Gumi paraqiti në komisionin parlamentar propozimin, me 30 firmat e deputetëve të Partisë Demokratike, që mbështet Cefën për vendin e mbetur vakant në KLD. (LajmeShqip.com)