Lajme Shqip Wednesday, 08 February 2012 20:30

Tiranë – Maxhoranca, opozita dhe shoqëria civile në mbledhjen e sotme të komisionit të Ligjeve bien dakord për rishikimin e disa neneve të kodit civil dhe kodit penal, ku bën pjesë shpifja dhe fyerja, miratimi i të cilave kërkon shumicë të cilësuar në Kuvend.

Në mbledhjen e sotme të komisionit u shfaqën qëndrime të kundërta të palëve.

Deputetët e opozitës kërkuan që jo çdo rast i shpifjes dhe fyerjes të hiqet nga kodi penal. Ndërsa, maxhoranca u shpreh se çdo rast fyerje dhe shpifje, nga cilado anë që të vijë, si nga gazetari apo qytetari, ajo duhet të përballet me një proces civil dhe jo penal.

Nënkryetari socialist i komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj u shpreh për mbajtjen në kodin penal të dispozitave të fyerjes dhe shpifjes, duke hequr dënimin me heqje lirie dhe duke vendosur dënimin me gjobë, kjo tha ai “duke përcaktuar një tavan të pranueshëm në kushtet shqiptare”.

Kryetari i komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali, duke mbrojtur propozimin e qeverisë tha se  media dhe liria e fjalës duhet të çlirohen nga vargonjtë penalë dhe problemet që kanë me abuzimin duhet t’i zgjidhin përmes metodës civile.

“Ne kemi arritur në një pikë kur duhet t’i themi vetes duam modelin e shekullit të 19-të apo atë të shekullit të 21-të. Ne duhet të guxojmë pak më shumë, të paktën komisioni i Ligjeve”, tha Rusmali.

Ndërsa, përfaqësuesit e shoqërisë civile ia lanë komisionit të vendosë se cilin variant do të zgjedhin në mbledhjen e ardhshme të së hënës (13 shkurt).