Lajme Shqip Tuesday, 15 November 2011 11:10

Tiranë – Komisioni parlamentar i Ligjeve, një ditë pas vendimeve konsensuale maxhorancë-opozitë në Konferencën e Kryetarëve, po diskuton sot për ligjet, miratimi i të cilave kërkon shumicë të cilësuar (3/5 e votave).

Deputetët e Partisë Socialiste në komision propozuan që për këto ligje të ndiqet një procedurë e veçantë, pasi   miratimi i tyre nuk duhet të jetë thjesht ngritje kartonash, por duhet të zhvillohet një proces sa më i plotë dhe në respekt të vendimeve të marra një ditë më parë në Konferencën e Kryetarëve.

Ndërkohë, deputetët e Partisë Demokratike në komision u shprehën optimistë për arritjen e marrëveshjes me palën tjetër, përsa i përket ligjeve me 3/5, duke theksuar se besojnë tek vullneti i palëve.

Në mbledhjen e sotme komisioni i ligjeve po diskuton mbi disa ndryshime në ‘kodin rrugor’, ndërsa deputetët e PS-së kërkuan që për këtë pr/ligj të pyeten edhe ekspertët e Ministrisë së Transporteve.

Një ditë më parë Konferenca e kryetarëve e grupeve parlamentare, mes të tjerash arriti konsensus për axhendën e ligjeve me shumicë të cilësuar, duke vendosur rishqyrtimin e tyre me kalendarë trejavore dhe në përputhje me rregulloren parlamentare. Kështu për kalendarin e parë trejavor, 14 nëntor-7 dhjetor 2011, do të rishqyrtohen në komisione kodi hekurudhor, kodi ajror, kodi detar si dhe kodi rrugor. Ndërkohë, projektligjet e tjera të mbartura për rishqyrtim dhe miratim, do të përfshihen në programin e ri të punës së Kuvendit për sesionin e ardhshëm parlamentar, me synim që shqyrtimi dhe miratimi i tyre të përfundojë brenda muajit mars 2012.