Lajme Shqip Friday, 08 July 2011 09:35

Tiranë – Kolegji Zgjedhor pritet të japë sot (ora 10:00) vendimin lidhur me kërkesë – padinë e paraqitur nga Partia Socialiste, më 2 korrik.

Në padinë e tyre, socialistët kërkojnë nga Kolegji që të urdhërojë KQZ-në të shqyrtojë kërkesën e bërë prej saj, ku kërkohet të shpallet i pavlefshëm vendimi që shpalli fitues kandidatin demokrat Lulzim Basha me 93 vota, si dhe të shpallë të pavlefshëm rezultatin e zgjedhjeve në Tiranë.

Kjo ankesë, e paraqitur fillimisht nga socialistët në Komisionin Zgjedhor (28 qershor), nuk u pranua nga ky i fundit, me pretendimin se ky institucion nuk ishte kompetent për të vlerësuar këtë ankimim, si dhe për faktin se kërkesa ishte jashtë afatit ligjor treditor.

Gjatë seancës së djeshme trupa gjyqësore, me relatore Sashenka Jonuzi, pasi dëgjoi argumentat e palës paditëse (PS) dhe palëve të interesuara, PD dhe KQZ, vendosi të pranojë provat e paraqitura nga socialistët në lidhje me pretendimet e tyre për manipulimin e rezultatit të zgjedhjeve në Tiranë.