Lajme Shqip Thursday, 07 July 2011 10:54

Tiranë – Kolegji Zgjedhor nisi shqyrtimin e kërkesë-padisë së Partisë Socialiste, të depozituar më 2 korrik prej saj.

Në këtë kërkesë, PS kërkon nga Kolegji që të urdhërojë KQZ-në të marrë në shqyrtim kërkesën e bërë prej saj në këtë institucion, ku kërkohet të shpallet i pavlefshëm vendimi i datës 25 qershor, që shpalli fitues kandidatin demokrat Lulzim Basha me 93 vota dhe të shpallë të pavlefshëm rezultatin e zgjedhjeve në Tiranë.

Relatore e çështjes është gjyqtarja Sashenka Jonuzi, e cila do të drejtojë trupën gjyqësore, të përbërë nga gjyqtarët Astrit Kalaja, Meriban Mullai, Marie Qiriazi dhe Dhurata Haveri.

Në seancën e sotme gjyqësore, PS, si palë paditëse, përfaqësohet nga Damian Gjiknuri, Eno Bushi, Arian Salati dhe Eridian Salianji. Ndërsa PD përfaqësohet nga avokatët Ivi Kaso dhe Oerd Bylykbashi.

Në seancën e djeshme PS hoqi dorë nga padia e bërë më 30 qershor, duke deklaruar se ajo kërkonte nga KQZ shqyrtimin e padisë së bërë më 2 korrik, por që sipas deputetit Damian Gjiknuri, pa hequr dorë nga kërkesa e socialistëve për pavlefshmëri.