Lajme Shqip Tuesday, 05 April 2011 10:49

Prishtinë – “Kosova është e gatshme të merr përgjegjësi dhe është e privilegjuar që është pjesë e reformave evropiane”.

Kështu u shpreh Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Bajram Rexhepi, në hapje të punimeve të Asociacionit të Kolegjeve Policore të Evropës, i cili po mbahet në Prishtinë.

Rexhepi tha se bashkëpunimi me Asociacionin e Kolegjeve Policore Evropiane është parakusht për integrimet evropiane dhe harmonizim të praktikave më të mira të edukimit të kadetëve policorë.

“Ne jemi të gatshëm të marrim përgjegjsitë tona si dhe jemi të privilegjuar që jemi pjesë reformave evropiane, sa i përket trajnimve të forcave të sundimit të ligjit”, ka thënë ministri Rexhepi.

Ndërkaq shefi i Asociacionit të Kolegjeve Evropiane, Mauric Petit, lavdëroi punën e Qendrës së Kosovës për Siguri Publike, Edukim e Zhvillim, e cila vetëm dy vjet pas aplikimit për anëtarësim në këtë asociacion është e gatshme të organizojë një takim të tillë.

“Tashmë ata janë në gjendje që të organizojnë një takim të tillë në Prishtinë, që për mua është një shembull shumë i mirë që tregon dinamizmin e këtij shteti e, veçanërisht në fushën e edukimit policor dhe trajnimeve”, ka thënë Mauric Petit.

Anëtare të këtij asociacioni janë 45 shtete, ndërsa Qendra e Kosovës për Siguri Publike, është pranuar në cilësi të anëtarit  vëzhgues në shtator të vitit 2009.