Lajme Shqip Thursday, 01 September 2011 17:45

Tiranë – Kreu i Konfederatës së Minatorëve, Kol Nikolla, ka reaguar pas thirrjes që “ACR” ua bëri minatorëve, për t’u rikthyer në punë dhe firmosjen e kontratave të reja ku plotësoheshin kushtet.

Sipas Nikollës kjo kompani, ka kontratë kolektive në fuqi me sindikatën, e cila ende nuk ka pëfunduar, ç’ka nuk i lejon ata të firmosin kontrata të reja.
“Është një shaka apo papërgjegjshmëri e radhës, këtë nuk e di”, tha ai, i cili i bëri thirrje

Ministrisë së Punës për të reaguar, pasi është organi shtetëror, që harton dhe ndjekë hartimin e legjislacionit të punës.

Po ashtu, kreu i Konfederatës së Sindikatave, ka deklaruar se kompania “ACR” po përpiqet të anashkalojë institucionet publike, siç është sindikata.

Reagimi i Nikollës vjen për shkak se ACR, me anë të një deklarate për shtyp, ftoi minatorët të paraqiten pranë administratës së minierës së Bulqizës për të firmosur kontratat e reja individuale të punës, ku do të  përfshihej edhe rritja prej 20 % e pagës, garancia për përmirësimin e kushteve të punës dhe informimin e vazhdueshëm të planit të investimeve.