Lajme Shqip Sunday, 29 September 2013 12:14

 

Sipas të përditshmes Rilindja Demokratike, organ i Partisë Demokratike, deputeti i Partisë Socialiste Koço Kokëdhima merr në administrim naftën shqiptare. Endri Puka, i njohur si një nga njerëzit që Kokëdhima ka mbajtur afër prej vitesh, të cilit ai i ka besuar postin e drejtorit të gazetës “Shekulli”, e më parë postin e Presidentit të Klubit të Futbollit “Apolonia”, emërohet drejtor i Albpetrolit, i kompanisë shqiptare  të naftës.

Rama ka qenë kundër privatizimit të kësaj kompanie, duke deklaruar publikisht se do t’ia kthente atë shtetit, duke qenë se kompania Albpetrol gjatë qeverisjes së djathtë iu nënshtrua procedurave të privatizimit.

“Asnjë vend tjetër që ka naftë nuk ja lejon dot vetes këtë që qeveria e Shqipërisë i ka imponuar këtij vendi dhe kësaj shoqërie; Të konçensionojë një pasuri kombëtare strategjike siç është nafta dhe nga këto koncesione të përfitojë minimumin e të drejtës sovrane , për të shkuar deri në pikën që të privatizojë “Albpetrolin”, duke dorëzuar të drejtën sovrane dhe duke guxuar që ta kthejë “Albpetrolin” në ministrinë e Naftës, por me pronarë privatë”, është shprehur kryeministri Edi Rama pak para zgjedhjeve të 23 qershorit.