Lajme Shqip Tuesday, 15 November 2011 16:30

Tiranë – Zgjidhja e problemit të kanalizimeve të ujrave të zeza në zonën e Kodrës së Priftit do të jetë një nga prioritetet e Bashkisë në buxhetin e ri.

Specialistë të Bashkisë, prej ditësh janë në terren duke identifikuar problematikën me qëllim parashikimin në buxhet të fondeve për zgjidhjen e tyre.

Një nga problematikat më të mëdha të konstatuara dhe që ka qenë vazhdimisht në vëmendjen e kreut të Bashkisë është kanali i hapur i ujrave të zeza në këtë zonë që është kthyer prej vitesh në shqetësim për banorët.

Sot inspektuan këtë zonë Drejtori i Përgjithshëm i Manaxhimit të Shërbimeve, Taulant Zeneli i shoqëruar nga specialistë të Bashkisë dhe kryetari i Njësisë Bashkiake numër 3, Ilir Kokona.

Drejtori Zeneli tha për mediat se pas një konsultimi me qytetarët dhe me njësinë bashkiake, do të ndërhyhet për ndërtimin e kolektorit dhe mbylljen e kanalit të hapur që përshkon përmes këtë zonë.

“Këtu në Njësinë nr.3, zona e Kodrës së Priftit, problematika është mjaft e madhe, për këtë arsye është edhe në vëmendje të vazhdueshme të Kryetarit të Bashkisë, Lulzim Basha. Është parashikuar që të bëhet kolektori i ujërave të zeza, pasi siç e shikoni këtu është një kanal i hapur,  zona është e rindërtuar dhe ujërat e zeza derdhen në këtë kanal. Përveç kolektorit do të futet në projekt komplet zona e Kodrës së Priftit, për t’u bërë e gjithë infrastruktura e nevojshme, duke përfshirë rrugën, ndriçimin dhe gjelbërimin”, tha Zeneli.

Për të adresuar sa më mirë zgjidhjen e shqetësimeve të qytetarëve të Tiranës, Bashkia po bashkëpunon ngushtësisht edhe me institucionet e tjera. Në këtë kuadër, sipas zotit Zeneli në bashkëpunim me Ndërmarrjen e Ujësjellës-Kanalizimeve, do të nisë së shpejti ndërtimi i rrjetit të ujësjellësit për zonën e Kodrës së Priftit.

Bashkia nuk është e vetme, ajo po bashkëpunon edhe me institucionet e tjera, siç është edhe Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve, ku së shpejti do të fillojë edhe ndërtimi i rrjetit të ujësjellësit për zonën e Kodrës së Priftit, që ka qenë një gangrenë për një kohë të gjatë.