Lajme Shqip Tuesday, 24 April 2012 16:33

Tiranë – Ashtu siç kishte premtuar, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, është rikthyer tek zona e “Kodrës së Priftit”, ku para afatit të premtuar ka përfunduar Ujësjellësi, që furnizon me ujë 35 mijë familje të kësaj zone. Ndonëse afati i premtuar ishte data 27 prill, Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve e përfundoi më shpejt punën në terren dhe pritej vetëm ndërgjegjësimi i qytetarëve për të lidhur kontratat me Ujësjellësin për furnizimin me ujë.  Ky investim prej 50 milionë lekësh do të mundësojë furnizimin me ujë të kësaj zone dhe do të zëvendësojë sistemin e vjetër dhe të amortizuar.

“Ndërhyrje të tilla po ndërmarrim anembanë qytetit. Objektivi i Bashkisë është që brenda këtij viti, 95% e banorëve të qytetit të Tiranës të kenë lidhje me rrjetin e ujësjellës-kanalizimeve dhe të furnizohen nga ky rrjet me ujë të pijshëm. Paralelisht me këtë, vëmendja po kështu shkon tek menaxhimi i sistemit të ujësjellës-kanalizimeve, me qëllim që brenda 4 viteve të ardhshme, varësia e qytetarëve nga depozitat të reduktohet ndjeshëm dhe qytetarët të furnizohen tërësisht nga burimet ujore të sistemit të ujësjellës-kanalizimeve në Tiranë”, u shpreh Kryebashkiaku Basha.

Ai tërhoqi vëmendjen e qytetarëve për të mos shpërdoruar ujin e pijshëm, i cili është një ndër faktorët kryesorë të ujit të pakët në rubinetat e qytetarëve. Kryetari i Bashkisë ftoi qytetarët për të mos e shpërdoruar ujin.

Basha bëri të ditur se ai personalisht pret vazhdimisht qytetarë, të cilët denoncojnë këtë dukuri masive në qytetin tonë.  Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, bëri të ditur se brenda pak javësh do të hapet gara për rikualifikimin urban të “Kodrës së Priftit”, e cila do të mundësojë krahas ujësjellës-kanalizimit, edhe asfaltimin e rrugëve, shtimin e hapësirave të gjelbra dhe ofrimin e modelit të ri të qytetërimit në këtë zonë.

“Brenda pak javësh ne do të shpallim garën për ndërtime dhe rindërtime veprash publike në Tiranë, ndërmjet të cilave edhe atë për rikualifikimin urban të “Kodrës së Priftit”. Kjo do të thotë që përveç infrastrukturës nëntokësore, të ujësjellës-kanalizimeve, ne do të asfaltojmë apo do të shtrojmë rrugët e kësaj lagjeje, por jo vetëm kaq. Do të ndërmarrim hapa të tjerë të rëndësishëm, për të ofruar një model të ri qytetërimi, pikërisht këtu në këtë zonë të re të qytetit të Tiranës, ku me bashkëpunimin e banorëve, aty ku ka blloqe betoni apo tulla që kufizojnë banesat, t’i  zëvendësojmë me kangjella që t’i japim një profil europian kësaj lagjeje. Ne do t’i tregojmë, nëpërmjet kësaj lagjeje, gjithë qytetit të Tiranës se çfarë potenciali kemi si qytet, në lagjet e reja dhe të vjetra, duke zëvendësuar trashëgiminë e hidhur të tranzicionit, me modelin europian, që është në fakt dhe ka qenë gjithmonë në zemër të qytetit tonë”, theksoi Basha.

Ai garantoi se të gjithë projektet e futura në buxhetin e vitit 2012 do të ekzekutohen me përpikmëri dhe garanci, kjo falë performancës jashtëzakonisht të mirë fiskale që Bashkia e Tiranës po tregon në mbledhjen e të ardhurave në këtë tre mujor të parë.