Lajme Shqip Saturday, 28 April 2012 17:40

 Tiranë – Kryetari i Partisë Demokracia Sociale (PDS), Paskal Milo përsëriti sot apelin për marrjen parasysh të kërkesave të partive të vogla për amendimin e kodit elektoral, nga ana e komisionit të posaçëm të reformës zgjedhore.

 Gjatë punimeve të Këshillit Kombëtar të PDS-së, Milo tha se tryeza e 26 partive politike, të spektrit të djathtë dhe të majtë, ishte një eveniment unik në historinë e pluralizmit shqiptar. Sipas tij, kjo tryezë u mblodh për të shqyrtuar një nga problemet më të rëndësishme, atë të realizimit të një reforme të drejtë zgjedhore, e cila do të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme.

“Dokumenti i  nënshkruar nga 26 partitë politike nuk është një rekuizit autografesh, por një dokument serioz që duhet të kthehet nga komisioni parlamentar në pjesë integrale e kodit zgjedhor. Kryetarët e komisionit janë përfaqësues politikë të partive të tyre dhe asnjë grup nuk mund të shpërbëjë qëndrimin e nënshkruar nga 26 partitë”, tha Milo.

 Në këtë kuadër, kryetari i PDS-së vlerësoi se Shqipëria nuk ka kohë për të humbur, pasi ajo ndodhet pranë vendimmarrjeve të rëndësishme nga politika, e cila nuk mund t’i lejojë vetes gabime. “Nëse politika do të bëjë riciklimin e gabimeve të së kaluarës, atëherë Shqipëria do të riciklojë antivlerat e saj, që janë përpjekur ta tërheqin zvarrë në këto 20 vjet”, u shpreh Milo. Ai shtoi se zgjedhjet e ardhshme parlamentare kanë një rëndësi të veçantë, pasi sipas tij është i domosdoshëm një rotacion politik pas 8 vjetësh qeverisjeje, sipas tij, të dështuar.

Duke shprehur angazhimin e PDS-së, si parti e së majtës, Milo theksoi se sfida e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare kërkon konsolidimin e koalicionit opozitar, i cili duhet të ndërtojë një program bashkëpunimi elektoral dhe postelektoral të qartë. (LajmeShqip.com)