Lajme Shqip Wednesday, 22 February 2012 10:20

Tiranë – “Ish-kreu i Partisë Socialiste, Fatos Nano i ka të gjitha mundësitë për të kandiduar për postin e presidentit të ri të vendit”, deklaroi dje në mbrëmje, deputetja e Partisë Socialiste, Mimi Kodheli.

E ftuar në një emision televiziv, Kodheli tha se “gjithësecili që e meriton dhe kalon këtë proçes dhe merr votat siç e kërkon Kushtetuta mund të jetë president”.

“Pse jo edhe Nano. Është një person që i ka dhënë politikës shqiptare dhe është një njeri që duke dalë mbi palët, është një ndër kandidaturat që mund të hyjë në këtë proces. Sepse i rëndësishëm është procesi, nëse është transparent, i drejtë, jo abuziv”, deklaroi Kodheli.

Kodheli tha më tej se, Presidenti i ri i vendit duhet të dalë nga një tryezë konsensusi. Ajo shprehu vullnetin e PS-së për tu ulur në tryezë me Partinë Demokratike.

“Duhet të këtë një mënyrë diskutimi në një tryezë konsensusi, që të na çojë tek kandidatura më e mirë. Të gjitha rrugët janë të hapura. Ne jemi të gatshëm t’i hyjmë këtij procesi me dëshirën e mirë të PD-së”, tha ajo.