Lajme Shqip Tuesday, 28 February 2012 12:50

Prishtinë-Duke folur për marrëveshjen e fundit midis Prishtinës dhe Beogradit, analistja në Iniciativën Evropiane për Stabilitet, Verena Knaus, ka thënë se i takon Bashkimit Evropian të sigurojë që kjo marrëveshje të mos e shpërblejë vetëm Serbinë me statusin e kandidatit, por që të përshpejtohet dinamika në kompletimin e një Studimi të Fizibilitetit për Kosovën me të cilin do t’i hapej rruga procesit të Stabilizim-Asociimit të ngjashëm me atë që kanë pasur vendet e tjera.

“Çështja është nëse shtetet që nuk e njohin Kosovën nuk do ta mbështesin vetëm deklarativisht marrëveshjen me atë fusnotë, por se duhet ta pranojnë këtë emër për Kosovën me të cilën ajo mund të thurë marrëdhënie kontraktuale me BE-në për t’iu bashkuar atij një ditë”, ka thënë Knaus.

Marrëveshjen fundit, ajo ka thënë se atë e sheh në aspektin pragmatik. “Mendoj se nuk është zgjidhje ideale, por nuk është as ideal fakti që 1244 ka mbetur juridikisht në fuqi. Ky problem daton që nga viti 2008, nga rrethanat në të cilat u pat shpallur pavarësia dhe në formën se si patën reaguar Kombet e Bashkuara.

Tani, s’mund ta fajësojmë zotëri Kuperin për mbajtjen e 1244-shit. Mendoj se duhet t’i fajësojmë rrethanat në vitin 2008, Rusinë dhe të tjerët që insistonin që të mos ketë një rrugë të re për Kosovën-një rezolutë të re”, ka thënë Knaus duke shtuar se nëse në dy vitet e ardhshme Kosova do të ketë një Marrëveshje për Stabilizim-Asociim, nuk do të ishte më me rëndësi se si quhet, sepse atëherë ajo do të bëhej kandidate potenciale për anëtarësim dhe emri i saj do të ishte çështje dytësore.

“Shqetësimi im kryesor është nëse BE-ja vërtetë do të mund të sigurojë që pesëshja evropiane të mos jetë në gjendje të shpik justifikime të tjera për ta bllokuar rrugën evropiane të Kosovës”, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, analistja në Iniciativën Evropiane për Stabilitet, Verena Knaus. (REL)