Lajme Shqip Tuesday, 07 May 2013 12:58

Prishtinë – (E plotësuar) Autoritetet e Bosnjës dhe Hercegovinës ende nuk kanë dërguar në Prishtinë, dosjen e lëndës sëNaser Kelmendit, i cili u arrestua ditë më parë në Kosovë, në bazë të një urdhër arresti ndërkombëtar.
Vendimi për ekstradimin e të shumëkërkuarit nga autoritetet boshnjake, pritet të merret pas një kërkesë zyrtare që duhet të bëjnë autoritetet në Sarajevë, ç’gjë ende nuk është plotësuar.
Në anën tjetër, as Prishtina zyrtare nuk ka njoftuar formalisht autoritetet boshnjake për kapjen e Naser Kelmendit.
Zyrtarë të misionit evropian për forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë, i thanë Radios Evropa e Lirë se EULEX-i po i ndërmjetëson këto raporte, të cilat janë të komplikuara për shkak të mos njohjes reciproke të Kosovës dhe Bosnjës.
“EULEX-i po lehtëson dhe po ndërmjetëson kontaktet ndërmjet BH dhe Kosovës, me qëllim që të sillet dosja e ekstradimit”, i tha Radios Evropa e Lirë, Françoise Lambert nga zyra e EULEX-it për medie.
Naser Kelmendi është arrestuar të dielën mbrëma në orën 20h, në lagjen Mati 1 të Prishtinës.
Bashkë me të është kapur edhe Fuad Nikçi, i cili dyshohet se ka ndihmuar Kelmendi të fshihet nga autoritetet.

KMDLNJ: Trajtim korrekt ndaj Naser Kelmendit

 

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në kuadër të mandatit të tyre vizituan Qendrën e Ndalimit në Prishtinë dhe biseduan me të ndaluarit Naser Kelmendi 56 vjeçar dhe Fuad Nikçi 32 vjeçar, shtetas i Malit të Zi.

Dy të intervistuarit i deklaruan monitoruesve të KMDLNj-së se janë arrestuar me 05 maj në orët e mbrëmjes në Prishtinë dhe se gjatë arrestimit të tyre Policia e Kosovës ka pasur sjellje korrekte. Ndaj tyre nuk ka pasur përdorim të forcës , fyerje apo kërcënim dhe se të arrestuarit janë njoftuar me të drejtat e tyre.
“Të arrestuarit kanë angazhuar mbrojtës që i kanë zgjedhur vet. Gjithashtu, të arrestuarit deklaruan se edhe gjatë intervistimit dhe gjatë qëndrimit në Qendrën e Ndalimit sjellja e zyrtarëve policorë dhe oficerëve është korrekte dhe nuk kanë vërejtje. Monitorues të KMDLNJ-së vlerësojnë se edhe gjatë arrestimit si dhe gjatë ndalimit në QN nuk ka pasur shkelje të drejtave të personave të privuar nga liria”, thuhet në kumtesën e KMDLNJ-së.
Ndryshe, Naser Kelmendi, afarist me origjinë shqiptare nga Kosova, me nënshtetësi të Bosnje e Hercegovinës, kërkohej me flet arrest ndërkombëtar.