Lajme Shqip Wednesday, 06 April 2011 15:43

Prishtinë – Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNJ) e ka vizituar të mërkurën në qendrën e paraburgimit në Prizren kryetarin e Therandës, Blerim Kuçin, i cili ka deklaruar se i është nënshtruar shantazhit dhe presionit për ta dhënë dëshminë.

Monitoruesit e KMDLNJ-së për qëllim të vizitës kanë pasur që të sigurojnë informata nga Kuçi për trajtimin e tij gjatë arrestimit dhe gjatë qëndrimit në Qendrën e Paraburgimit si dhe nëse i janë shkelur të drejtat e njeriut.

KMDLNJ njofton se vizita është bërë në zyrën e punëtorit social dhe zgjati rreth 20 minuta, ku Kuçi ka treguar se për arrestimin EULEX-i vetëm me telefon e ka njoftuar se ka një vendim të tillë dhe nuk i janë dhënë sqarime nëse është dënim apo paraburgim.

Më tutje, KMDLNJ bëri të ditur se Kuçi nuk ka pasur asnjë vërejtje lidhur me trajtimin e tij gjatë qëndrimit në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, por ka deklaruar se i është nënshtruar shantazhit dhe presionit për ta dhënë dëshminë e kërkuar.

Mirëpo, Kuçi nuk ka pranuar të deklarohet dhe se do të mbrohet në heshtje dhe pa avokat, por vetëm me këshilla juridike.

Dihet se KMDLNJ ka mandat për t’i vizituar personat e ndaluar, ata që janë të paraburgosur dhe ata që janë dënuar dhe që janë në vuajtje të dënimit.