Lajme Shqip Saturday, 29 December 2012 20:49

TIRANË – Kontrolli i Lartë i Shtetit kap me shkelje Ministrinë e Brendshme në prokurime publike. Dëmi në buxhetin e shtetit i llogaritur nga këto shkelje llogaritet në vlerën 225.6 milionë lekë, ndërsa është kryer një kallzim penal në prokurori ndaj kryetarit të komisionit të Prokurimeve Publike.

KLSH kreu një auditim në Ministrinë e Brendshme me objekt: “Mbi zbatimin e ligjshmërisë dhe rregullshmërisë ekonomiko-financiare, për periudhën 1/1/2011 deri më 31/8/2012″. Ky auditim u krye konformë kërkesave të programit të auditimit, rregullores së brendshme të organizimit dhe funksionimit të institucionit dhe standardeve të auditimit.

KLSH njoftoi se në përfundim të zbatimit të të gjithë procedurave të përcaktuara, u konstatuan shkelje të ligjit “Për prokurimin publik”, të kryera nga Komisioni i Prokurimit Publik dhe veçanërisht nga Kryetari i tij.

Drejtoria e Përgjithshme e Zhvillimit të Prokurimeve të Përqëndruara (DPZHPP) në Ministrinë e Brendshme me cilësinë Autoriteti Kontraktor, në disa procedura prokurimi ka kualifikuar në përputhje me rregullat e prokurimit disa operatorë ekonomik të cilët kanë paraqitur ofertat e tyre në vlera më të vogla se sa operatorët e tjerë pjesëmarrës.

“Disa operatorë të tjerë pjesëmarrës në tender të interesuar për të dalë fitues, kanë paraqitur ankim administrativ pranë Komisionit të Prokurimit Publik (KPP) për këto procedura. Nga vlerësimi i dokumentacionit të shqyrtimit administrativ të këtyre ankesave të marra nga Ministria e Brendshme dhe sistemi elektronik i prokurimeve të Agjencisë së Prokurimit Publik, rezultoi se, KPP ka vepruar në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik, sepse nuk ka kualifikuar në kundërshtim me rregullat e prokurimit operatorët ekonomik të cilët kanë paraqitur ofertat në vlera më të ulta. Për pasojë, në zbatim të këtyre vendimeve të KPP-së”Për prokurimin publik”, janë administrativisht përfundimtare; Autoritetet Kontraktore, Reparti Ushtarak nr. 1030, Poshnjë dhe Reparti Ushtarak 1001, Zall-Herr, mbi këtë bazë kanë lidhur kontratat me operatorët ankimues (fitues sipas vendimeve të KPP-së), duke i shkaktuar buxhetit të shtetit dëm ekonomik në vlerën 225.6 milionë lekë”.

Kështu, sipas KLSH, dëmi është shkaktuar respektivisht:
-163.8 milionë lekë në proçedurën e prokurimit për “Shërbimin e gatimit dhe shpërndarjes së ushqimit (Katering) për Repartin Ushtarak 1030, Poshnjë”,
-61.8 milionë lekë në proçedurën e prokurimit për “Shërbimin e gatimit dhe shpërndarjen e ushqimit për Repartin Ushtarak 1001, Zall-Herr”.

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka depozituar kallzim penal pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për konsumim të figurës së veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, për Kryetarin e Komisionit të Prokurimit Publik, z. E. S. dhe 3 anëtarë të këtij Komisioni.(LajmeShqip.com)