Lajme Shqip Tuesday, 13 December 2011 14:01

Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PS-së, kreu i opozitës, Edi Rama, ka ritheksuar edhe njëherë tjetër votën kundër të opozitës për Bujar Leskajn.

Ky i fundit është propozuar nga ana e presidentit Topi për kreun e Kontrollit të Shtetit dhe tashmë ka marrë miratimin e mazhorancës. Gjatë mbledhjes së djeshme të PD-së, Berisha ka thënë se mazhoranca do të votojë pro Leskajt.

Sakaq, Rama i është referuar sot dëgjesës së organizuar dje me 12 kandidatët e përzgjedhur për Avokatin e Popullit.

Duke folur në mbledhjen e grupit të PS-së, Rama ka falenderuar komisionin përzgjedhës për procesin që sipas tij ishte shumë mirë i organizuar.

“Kam besim plotë që komisioni do ta kryejë me sukses detyën për të përgjedhur kandidaturën që do ti paraqesim Kuvendit për Avokatin e Popullit” ka theksuar Rama.

Sipas tij, ky proces përbën provë dalluese mes PS dhe kundërshtarëve politik dhe është mishërim i gjithçkaje që ajo ka shkruar në programin e ri.