Lajme Shqip Thursday, 18 July 2013 11:54

Tiranë – Sekretari Organizativ i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, thotë në një intervistë për A1Report se Lëvizja Socialiste për Integrim ishte thembra e Akilit në fitoren e të majtës.
“Kjo është një gjë që duhet të diskutohet. Në 2009 ka qenë po e njëjta kërkesë nga ana jonë. Në 2013 nuk mund t’i lejonim vetes të mos e përpunonim si ide. Ngritëm një sekretariat të posaçëm, punuam gjerësisht për të zgjeruar koalicionin me 34 parti. Natyrisht bashkimi me LSI ishte thembra e Akilit, një shtysë shumë e madhe e cila solli fitoren e PS, të Edi Ramës, të filozofisë së tij tetë vjeçare. Ndarja e mendjes që ky sistem është sistem koalicionesh, na solli ne fitues. E kishim të qartë që ditën që pranuam të ishim bashkë me LSI, që ashtu sikurse del fitues me koalicion, po ashtu brenda koalicionit është i projektuar në mënyrë të tillë. Është një sistem miks gjerman e spanjoll ku ndarja brenda të njëjtit koalicion është i atillë që të përfitojnë të gjitha partitë e vogla,” tha Klosi, shkruan tema. 
Sa i përket vitit 2009, Klosi tha se LSI kishte kërkesa të paimagjinueshme.
“Ne arritëm që në 2009 të ishim baras me një pozitë që vinte me disa punë të realizuara dhe me një frymë se mund të vazhdonte. Akoma nuk ishte që edhe Partia Socialiste të pranonte koalicionin e madh. Kishte kërkesa ekstremiste, të paimagjinueshme në 2009. Kjo ka qenë historia. Forcat e mëdha politike kërkojnë koalicion po kanë dhe përgjegjësitë e tyre. Edhe LSI në vitin 2009 ishte me filozofinë që do të bënte namin e vetme, ishte e jo mirë menaxhuar dhe ajo na solli prapë që ne të ishim fitues. Megjithatë them që 2009 ka qenë fituese për të majtën. Mbani mend që Ilir Meta nuk u paraqit midis të majtës dhe të djathtës, por u paraqit si e majtë ekstreme. Doli me shprehjet “unë jam opozita e vërtetë”, “unë do fus Sali Berishën në burg”. Realisht në 2009 e majta dhe e djathta u ndanë barazim, 70 me 70 dhe mos të harrojmë manipulimin e madh, por edhe atë sesi kuptohej formula elektorale në atë kohë. Ne kemi humbur mandatin e pestë në Berat me më pak se 200 vota,” tha Klosi.