Lajme Shqip Tuesday, 21 February 2012 21:51

Prishtinë- Sekretarja e Shtetit, Hilari Klinton siguroi sot se, SHBA-ja do të vazhdoj të qëndroj përkrah qytetarëve dhe institucioneve të Kosovës.

Në një bisedë telefonike me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, sekretarja amerikane Hilari Klinton tha se SHBA-ja asnjëherë nuk do t’i sugjeronte Qeverisë së Kosovës të ndërmarrë veprime të cilat do t’i dëmtonin interesat e shtetit të Kosovës dhe të qytetarëve të saj, në rrugën e integrimit në institucionet euro-atlantike.

Temë kyçe e bisedës ishte kërkesa e kryeministrit Thaçi që Kosova të mbështetet në zbatimin e axhendës euro-atlantike, në mënyrë që t’i hapen dyert drejt anëtarësimit të plotë në NATO dhe Bashkimin Evropian.    

Sekretarja Klinton rikonfirmoi edhe njëherë se Republika e Kosovës do të ketë mbështetje të plotë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në këtë drejtim. Gjithashtu, sekretarja Klinton e uroi kryeministrin Thaçi  me rastin e përvjetorit të katërt të Republikës së Kosovës, si dhe e përgëzoi për arritjet gjatë këtyre viteve. (LajmeShqip.com)