Lajme Shqip Sunday, 11 March 2012 14:43

Uashington-Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, mori pjesë në mbylljen e Samitit të tretë ndërkombëtar “Women in the World”, në New York. Sipas Presidencës kosovare, Samiti përfundoi punimet me fjalën përmbyllëse të sekretares amerikane të shtetit, Hilary Clinton, e cila, duke përmendur shembuj të grave të suksesshme udhëheqëse në botë, një pjesë ia kushtoi edhe Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga.

Sekretarja Clinton në fjalën e saj tha se “sapo e takova miken time të mirë, Presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga. Ajo është një presidente shumë e re, por jeta e saj është një dëshmi se çfarë mund të bëjnë gratë për paqen dhe sigurinë. Ajo ishte një studente kur lufta në vendin e saj filloi. Ajo pa aq shumë vuajtje dhe deshi që të ndihmonte vendin. Pas përfundimit të studimeve ajo u bë pjesëtare e policisë; punoi ngushtë me forcat  ndërkombëtare për të vendosur paqen. Ajo u ngrit në detyrë dhe u bë udhëheqëse e policisë së re të Kosovës, kurse vitin e kaluar u bë gruaja e parë e zgjedhur presidente në gjithë Ballkanin. Ajo ka punuar shumë për ta bashkuar vendin, për të promovuar sundimin e ligjit, pajtimin, stabilitetin rajonal dhe gjithmonë duke punuar për të drejtat dhe mundësitë e grave dhe vajzave”.

Samiti Ndërkombëtar “Women in the World”, që zhvilloi punimet në New York, është i treti me radhë dhe këtë vit ka mbledhur afro 2000 pjesëmarrëse nga e gjithë bota. Në Samit, ku mori pjesë Presidentja Jahjaga, pjesëmarrëse ishin edhe një numër i grave të shquara të politikës, artit, kulturës e kinematografisë, përfshirë sekretaren amerikane të shtetit, Hilary Clinton, drejtoren e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristine Lagard, ambasadoren amerikane për çështjet globale, Melanne Verveer, aktoret e njohura me famë botërore, Angelina Jolie dhe Meril Streep. (LajmeShqip.com)