Lajme Shqip Thursday, 16 August 2012 13:41

Prishtinë- Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Jan Klif, ka thënë se veriu i Kosovës do të jetë tema kryesore e diskutimit në nivel politik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Në një emision në “Radio Kontakt Plus” të Mitrovicës ai ka deklaruar se zgjidhja për veriun e Kosovës duhet të jetë në kuadër të Planit të Ahtisaarit dhe se nuk do të flitet për statusin e Kosovës që tashmë është i njohur.

“Veriu i Kosovës është një çështje e brendshme e Kosovës, por është e pamundur të zgjidhet pa diskutime me Beogradin. Qeveria në Prishtinë e di se ky është qëndrimi i Britanisë së Madhe”, ka thënë Klif.

Ai ka shtuar se deri tash ka ekzistuar dialogu teknik, por se nevojitet një formë e re e bisedimeve, pasi sipas tij “duhet të zgjidhet një problem politik”. Ambasadori vlerëson se ky nuk do të jetë dialog i lehtë, sidomos me qeverinë e re në Beograd.

Ai shpreson se në shtator do të vazhdohet dialogu për çështjet teknike, por se para kësaj duhet të zbatohen marrëveshjet e mëparshme, sidomos ajo për menaxhimin e integruar të kufirit.

Si pengesë për zbatimin e marrëveshje ai ceku edhe qytetarët serb në veri, por edhe “problemet teknike”. Klif po ashtu theksoi se ekziston kushti i “marrëdhënieve të mira fqinjësore”, i cili do t’i shtrohet Beogradit në rrugën drejtë BE-së. (LajmeShqip.com)