Lajme Shqip Monday, 24 December 2012 20:24

Prishtine – Rasti gjyqësor në të cilin është i akuzuar deputeti i Kuvendit të Kosovës, Fatmir Limaj dhe nëntë bashkëluftëtarët e tij, i njohur si ‘rasti Kleçka’, pritet të rifillojë në fund të janarit ose në fillim të shkurtit të vitit të ardhshëm.

Kjo për shkak të masës së paraburgimit që u është caktuar dhjetë të akuzuarve në këtë rast. Për shkak të kësaj mase gjykata duhet t’i përshpejtojë procedurat, sepse masa e paraburgimit llogaritet si një masë e rëndë për të pandehurit.

Lidhur me këtë rast, avokatët mbrojtës të Limajt dhe të tjerëve e kanë dorëzuar kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë kundër aktvendimit të Gjykatës Supreme, e cila ua ka caktuar masën e paraburgimit dhjetë të pandehurve të këtij rasti.

“Kleçka” pritet të rifillojë në shkurt të 2013-ës. Këtë e ka konfirmuar për KosovaPress, Tahir Rrecaj, avokat mbrojtës i deputetit të Kuvendit të Kosovës, i akuzuar në këtë rast, Fatmir Limaj. Rifillimi i këtij procesi në këtë kohë, sipas Rrecajt, mund të bëhet për shkak të masës së paraburgimit të të pandehurve.

Ai ka thënë se kur i pandehuri është në paraburgim, atëherë gjykata duhet t’i përshpejtojë procedurat, për shkak se paraburgimi llogaritet si masë e rëndë.

“Unë besoj se kjo do të ndodh në fund të janarit, ose fillimi i shkurtit të vitit të ardhshëm, sepse rastet kur personat e pandehur ndodhen në paraburgim, gjykata duhet të veprojë me nguti të posaçme, pra duhet t’i përshpejtojë për shkak të faktit se paraburgimi është një masë shumë e rëndë”, ka thënë Rrecaj për KosovaPress përmes telefonit.

Por, para rifillimit të rastit “Kleçka”, Rrecaj ka thënë se kryetari i trupit gjykues do t’i ftojë ata në një seancë konsultative, ku do të caktohet agjenda e seancave.

“Nuk kemi ndonjë informacion të saktë. Ende kryetari i trupit gjykues nuk e ka përgatitur agjendën. Para se ta përgatisë atë, ai do të na thërrasë në një seancë konsultative dhe statusore, kur do të merremi vesh se si duhet t’i harmonizojmë agjendat dhe oraret tona për seancat gjyqësore, në mënyrë që t’i kemi edhe ne”, ka thënë ai për KosovaPress.

Para disa kohesh, Gjykata Supreme ia caktoi masën e paraburgimit Limajt dhe nëntë të tjerëve në këtë rast dhe në këtë mënyrë duke e kthyer rastin “Kleçka” në rigjykim.

Kjo shkaktoi pakënaqësi te avokatët mbrojtës, të cilët kërkesë pas kërkese i kanë kërkuar Gjykatës Supreme që ta hedhë poshtë vendimin për rigjykim dhe ta mbrojë ligjshmërinë e vendimit të Gjykatës së Qarkut, e cila i pati liruar nga fajësia dhjetë të akuzuarit.

Lidhur me këtë, mbrojtja sot e ka bërë kërkesën e fundit për mbrojtjen e ligjshmërisë së vendimit të Gjykatës së Qarkut. Këtë e ka pohuar për KosovaPress avokati Rrecaj, për të cilën kërkesë ka thënë se është mundësia e fundit për mbrojtjen e ligjshmërisë.

“Sot, unë së bashku me Tomë Gashin, kolegun Karim Khan, kemi dorëzuar një kërkesë për mbrojtjen e ligjshmërisë kundër aktvendimit të Gjykatës Suprem me të cilin pati refuzuar ankesën e mbrojtjes të paraqitur kundër aktvendimit të kryetarit të trupit gjykues me të cilin Limajt dhe të tjerëve iu pat caktuar masa e paraburgimit”, ka thënë ai.

Por Rrecaj ka shtuar se nëse refuzohet kjo kërkesë, atëherë Limaj dhe të tjerët duhet t’i vuajnë 60 ditë të plota në paraburgim, ashtu siç e ka caktuar Gjykata Supreme dhe ka shtuar se mbrojtjen nuk i mbetet gjë tjetër pos ta respektojë vendimin e kësaj gjykate.

“Nëse refuzohet ankesa, atëherë është mjeti i fundit juridik. Ne duhet ta respektojmë vendimin e përfundimtar të Gjykatës Supreme, që do të thotë se Limaj dhe të tjerët, nëse refuzohet, duhet të qëndrojnë për 60 ditë të plota në paraburgim”, ka pohuar Rrecaj.

Për më tepër, rasti gjyqësor i njohur si “Kleçka”, në të cilin janë të akuzuar Fatmir Limaj dhe nëntë bashkëluftëtarët e tij, kohë më parë ishin liruar nga fajësia për të gjitha pikat e aktakuzës që rëndonin mbi ta, duke bërë kështu që Limaj dhe të tjerët t’i kthehen punës dhe jetës së tyre.

Por pasi u krijua përshtypja se kjo çështje ka përfunduar, doli në pah vendimi i Gjykatës Supreme, i cili erdhi si shkak i një ankese të prokurorit të këtij rasti ndaj vendimit lirues të Gjykatës së Qarkut për dhjetë të akuzuarit.

Pas shqyrtimit të kësaj ankese, vendimi i Gjykatës Supreme doli të jetë në favor të prokurorisë, i cili vendim e ktheu në rigjykim rastin “Kleçka”, kurse për të akuzuarit e këtij rasti mori vendim për paraburgimin e tyre.

Të pandehurit po qëndrojnë në paraburgim deri në një vendim tjetër. Rigjykimi i këtij rasti, sipas avokatëve mbrojtës, pritet të rinisë në shkurt të 2013-ës.(LajmeShqip.com)