Lajme Shqip Friday, 21 December 2012 17:48

PRISHTINE – Gjykata e Prishtinës ka vendosur që deputeti i Partisë Demokratike të Kosovë, Fatmir Limaj, të qëndrojë në paraburgim edhe për dy muaj të tjerë.

Dy muaj paraburgim u janë caktuar edhe Nexhmi Krasniqit, Naser Shalës dhe Naser Krasniqit. Lajmin e ka konfirmuar për “Express” avokati i Limajt, Tomë Gashi.

Limaj dhe tre shokët e tij janë burgosur me 24 nëntor dhe gjykata ka refuzuar të gjitha ankesat e mbrojtjes ndaj këtyre masave të paraburgimit.

Muaj më parë gjykata kishte hedhur si të papranueshme dëshminë kryesore të Agim Zogajt i njohur si dëshmitar X, që kishte çuar tek lirimi i të gjithë të akuzuarve në këtë rast.

Por, prokurori i rastit kishte deponuar një ankesë ndaj këtij aktgjykimi dhe Gjykata Supreme kishte vendosur që rasti të kthehet në rigjykim ndërsa provat e dëshmitarit Zogaj shpalleshin të pranueshme.

Limaj dhe të tjerët akuzohen se gjatë vitit 1999 kanë kryer krime ndaj civilëve.(B.W/LajmeShqip.com)