Lajme Shqip Friday, 05 October 2012 17:55

DURRËS –  Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka pezulluar sot gjyqtarin e Durrësit, për ‘shpërdorim detyre’. Vendimi vjen pak ditë, pasi inspektorët e KLD-së, nisën verifikimin e dosjeve penale të Ilir Xhakjes, i dyshuari i vetëm dhe kryesor për vrasjen në detyrë të kryekomisarit Adem Tahiraj, shef i Komisariatit të Policisë së Shijakut.

Prokuroria ka nisur kështu hetimet për gjyqtarin, i cili akuzohet se ka liruar Xhakjan. Sipas organit qendror të akuzës, Gjykata e Durrësit e shpalli vendimin e saj për këtë çështje me numër 98, datë 9.2.2011, duke e deklaruar të pafajshëm shtetasin Ilir Xhakja për veprën penale të parashikuar nga neni 78/1 -25 dhe duke e pushuar çështjen ndaj tij për veprën penale të parashikuar nga neni 278/2 i K.Penal. Në seancën gjyqësore vendimi nuk u dha i arsyetuar dhe as i zbardhur. Ndërsa, Prokuroria e Durrësit e apeloi vendimin nr.98, date 9.2.2011 megjithëse vendimi nuk ishte vënë në dispozicion i arsyetuar. 

Ilir Xhakja konsiderohet i dyshuari i vetëm dhe kryesor për vrasjen në detyrë të kryekomisarit Adem Tahiraj, shef i komisariatit të policise se Shijakut, ngjarje e ndodhur me 13 shtator në fshatin Katund Sukth, 12 km larg Durrësit. (LajmeShqip.com)