Lajme Shqip Friday, 09 November 2012 15:24

TIRANË– Këshilli i Lartë i Drejtësisë është mbledhur paraditen e sotme, nën drejtimin e kryetarit të saj, njëherësh President i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani për të diskutuar për rishpërndarjen e gjyqtarëve në gjykatat e rretheve dhe të Apelit. 

Drafti i paraqitur KLD-së për miratim, është përgatitur pas një studimi të realizuar nga ministria e Drejtësisë në gjykatat e vendit dhe synon rritjen e efikasitetit të sistemit gjyqësor, duke i garantuar publikut një shërbim më cilësor e më të shpejtë. Sipas tij, drafti parashikon rishpërndarjen e gjyqtarëve në gjykata, sipas ngarkesës së tyre në punë. Përmes këtij akti synohet që të ulet numri i gjyqtarëve në gjykatat e vogla të rretheve që kanë më pak çështje dhe të rritet numri i gjyqtarëve në gjykatat që kanë një ngarkesë më të madhe pune. 

Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, duke dhënë detaje për këtë projekt, tha se “kemi përgatitur një draft të rialokimit të të gjithë numrit të gjyqtarëve sipas çdo gjykate”. 

Kjo nismë pritet t’i japë zgjidhje problematikës së hasur në veprimtarinë e sistemit gjyqësor. Si shembull përmendet rasti i Gjykatës së Tiranës, me 70 gjyqtarë, ku një gjyqtar ka në ngarkim rreth 300 dosje, në një kohë që në Gjykatën e Gjirokastrës, me 16 gjyqtarë, një gjyqtar ka ne ngarkim rreth 30 dosje, pe nje periudhe te caktuar kohe. Një situatë e tillë ka krijuar probleme në dhënien e drejtësisë në kohë të shpejtë për qytetarët.

Ndërkohë që krahas përcaktimit të gjyqtarëve në gjykata, proces i cili u theksua si mjaft i rëndësishëm si nga Presidenti Nishani ashtu dhe nga ministri Halimi, po diskutohet dhe mbi ngritjen e Gjykatave Administrative.

NISHANI: VENDI I LEFTERIE LLESHIT VAKANT NE KLD
Këshilli i Lartë i Drejtësisë, miratoi sot deklarimin e mbarimit të mandatit të Lefterie Lleshit si anëtare e këtij institucioni, pas zgjedhjes së saj në krye të KQZ.

Në nisje të mbledhjes, presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, njëherësh kryetar i KLD shpalli mbarimin e mandatit dhe urdhëroi ti dërgohet Kuvendit vendi vakant. 

Kuvendi votoi në seancën plenare të 11 tetorit Lefterie Lleshin në krye  të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).  Lleshi, mori në Kuvend 73 votat e mazhorancës, pasi Partia Socialiste nuk mori pjesë në votim.(LajmeShqip.com)