Lajme Shqip Monday, 20 February 2012 17:38

Prishtinë- Pas lajmit për marrëveshjen e mundshme rreth prezantimit të Kosovës, në nismat rajonale, me anë të një fusnote, kanë pasuar reagime të shumta në Kosovë.

Kreu i Kuvendit, Jakup Krasniqi, ndonëse tha se Kuvendi ende nuk është i njoftuar në për marrëveshjen e mundshme për përfaqësimine  Kosovës në nismat rajonale, ai i sugjeroi qeverisë që të jetë e kujdesshme me vendimin për këtë çështje.

“Kuvendi i Kosovës dhe Qeveria mos të nguten në disa vendime që nuk është krejt e qartë prapaskena e tyre”-tha Krasniqi.

Ndërkohë reagimi i partive opozitare ka qenë shumë më i ashpër. Lidhja Demokratike e Kosovës ka kritikuar qeverinë për, kompromisin e bërë nga kryeministri Thaçi, që Kosova, në forumet rajonale, mos të përfaqësohet si Republikë, por me fusnotë. Kryetari i LDK-së Isa Mustafa, tha se kompromisi do të ketë efekte negative në njohjen e pavarësisë së Kosovës nga shtete të tjera, duke i shkaktuar dëme vendit tonë dhe duke e quar Serbinë drejtë BE-së.

“LDK-ja beson se heqja dorë nga Republika paraqet heqje dorë nga elemente kushtetuese të shtetësisë dhe ky vendim mund t’i ndihmojë vetëm Serbisë në rrugën e saj drejt statusit të kandidatit për anëtarësim në BE”-shprehet Mustafa.

Edhe lëvizja Vetëvendosje, e ka quajtur kompromisin në kundërshtim me Kushtetutën e vendit. Kryetar i Grupit Kuvendar të Vetëvendosjes, Visar Ymeri, tha se heqja e republikës është zhbërje e pavarësisë.

“Në vend që në katër vjetorin e shpalljes së pavarësisë të krenohemi me sovranitetin e arritur, ekonominë e zhvilluar dhe mirëqenien e përmirësuar kryeministri Thaçi po e shpall heqjen e republikës”-nënvizoi Ymeri.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, thotë se me këtë marrëveshje, qeveria po heq dorë nga obligimet e saja kushtetuese. Burim Ramadani:

“Ne jemi kundër këtij vendimi, sepse kjo nënkupton heqje dorë nga obligimet kushtetuese që i ka qeveria e Kosovës. Por, po e themi qartë se sa më shpejtë të largohet kjo qeveri, aq më shpejtë fillon  ndryshimi pozitiv në Kosovë”-komenton Ramadani.

Reagimi i kryeparlamentarit dhe subjekteve opozitare në vend, erdhi pas deklaratave të kryeministrit Thaçi, se Kosova në nismat rajonale, do të përfaqësohet me fusnoëtë ku do të jetë e përfshirë  deklarata e shpalljes së pavarësisë, mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe Rezolutën 1244.