Lajme Shqip Friday, 12 August 2011 08:33

Prishtinë – Një burim i Portalit LajmeShqip.com bëri të ditur se institucioni i Doganave ka pranuar një shkresë nga Kisha ortodokse, me të cilën kërkohet të lejohen mallra nga Serbia në Kosovë për nevoja të tyre, pavarësisht masës së reciprocitetit që Qeveria e Kosovës ka vënë ndaj Serbisë. Sipas këtij burimi, shkresa iu është adresuar Doganave të Kosovës, dhe jo, siç i trajton Qeveria e Serbisë, “Doganave të UNMIK-ut”.

Shkresa mbanë nënshkrimin e peshkopit të Rashkë-Prizrenit, Teodosije. Ky prijës fetar serb ka qenë i shquar me deklarata nacionaliste dhe luftënxitëse. Për festën e Vidovdanit, muajin e kaluar, ai bëri thirrje në Gazimestan, një lokalitet afër Prishtinës, që deri në pikën e fundit të gjakut serbët duhet të luftojnë për ta mbajtur Kosovën, të cilën e ka quajtur “tokë të shenjtë serbe” dhe “djep të kulturës së serbëve”.

Ndërkaq, çështja e pranimit të vulave të Doganave të Kosovës do të diskutohet më 5 shtator, në Bruksel, midis palës kosovare dhe asaj serbe. Shkaku që muajin e shkuar Serbia nuk pranoi t’i njohë vulat, Qeveria e Kosovës nisi të aplikojë masën e reciprocitetit ndaj Serbisë, duke ndaluar të gjitha mallrat për të hyrë në Kosovë, përfshirë këtu edhe në portat kufitare 1 e 31, që nuk i kishte nën kontroll. Kur dërgoi njësitë speciale dhe i mori këto pika, serbët e veriut të Kosovës vunë barrikada në rrugët që shpiejnë në këto porta. Në një nga barrikadat, në atë në Rudar, ishte ngritur një kryq i gjatë që serbët kërkonin të shenjtërohej nga Teodosje. Por, prijësi fetar i tyre nuk ua kishte miratuar kërkesën.

Prifti serb që ka bërë lëvizje në drejtim të njohjes së realitetit, duket se ka marrë përgjigje pozitive nga Doganat e Kosovës. Portali LajmeShqip.com ka raportuar dje se një kamion me mallra serbe i dedikuar për Manastirin e Gjilanit e ka kaluar portën doganore në Podujevë. Pesha e mallit ka qenë 815 kg, ndërsa vlera e tij ishte 216.671 dinarë. (LajmeShqip.com)