Lajme Shqip Monday, 15 October 2012 13:38

Prishtinë –  Për Kosovën është e vështirë që të fitojë legjitimitetin e plotë ndërkombëtar në kornizën e tanishme. Kështu konstaton drejtori i KIPRED-it Ilir Deda.

Sipas tij, aspiratat e Kosovës për të forcuar legjitimitetin ndërkombëtar, vazhdojnë të qëndrojnë mbi themele të brishta. “Qëndron mbi themele të brishta sepse varet nga vullneti i Serbisë për të bashkëpunuar, aftësia e BE-së për të vlerësuar implementimin e kushteve të saj, posaçërisht aksionin e Serbisë për të bllokuar dhe sabotuar Kosovën nëpërmjet pesë  shteteve mos-njohëse partnere në BE. Dhe, së fundi, do të varet nga përgjigja e shteteve mos-njohëse ndaj rekomandimit të Komisionit lidhur me MSA-në”.

Deda thotë se dialogu i shumëpërfolur me Serbinë, i është prezantuar Kosovës si rrugë e vetme për të bindur pesë shtetet mos-njohëse të BE-së që të ndryshojnë qëndrimin e tyre kundruall Kosovës, duke e bërë kështu dialogun si instrument të vetëm.

Ndërkaq, analisti i KIPRED-it, Shpend Kursani, tha se për të mbetur stabile dhe minimalisht funksionale, Kosova nuk mund t’i bëjë ballë dhe nuk duhet të llogaris vetëm në një dialog, në të cilin edhe  Kosova por edhe Serbia ende i mbajnë pikëpamjet dhe qëndrimet absolutisht të kundërta sa i përket rezultateve të tij.

Mes tjerash , në analizë thuhet se në periudhën afatmesme, Kosova duhet të kërkoj nga BE-ja garanci të besueshme se dialogu me Serbinë do të ndikojë që të gjitha shtetet anëtare të BE-së ta njohin pavarësinë e Kosovës. (LajmeShqip.com)