Lajme Shqip Thursday, 28 April 2011 16:51

Prishtinë – Tani kur institucionet e Kosovës kanë filluar reformimin e sistemit zgjedhor, që përfshin ndryshime ligjore e kushtetuese, instituti KIPRED, mbështetur nga Qeveria e Britanisë së Madhe, do të marrë një rol kyç që të jetë zëri i shoqërisë kosovare në këtë proces.

Kështu u tha me rastin e lansimit të projektit “Rishikimi i sistemit zgjedhor në Kosovë”, nga Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave.

Krenar Gashi, drejtor ekzekutiv në KIPRED, ka thënë se reformat zgjedhore janë të nevojshme jo vetëm për të evituar parregullsitë në procesin zgjedhor, por edhe për fuqizimin e demokracisë.

Ndërsa, ambasadori Klif theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes së publikut të gjerë dhe të ekspertëve të pavarur në reformën zgjedhore.

“Qëllimi kryesor është përkrahja e mekanizmave për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe kjo është një temë e rëndësishme jo vetëm për Kosovën, por për tërë botën”, ka thënë ambasadori britanik.

Projekti “Rishikimi i sistemit zgjedhor në Kosovë” ngërthen hulumtime të pavarura të praktikave më të mira zgjedhore, analizë të zgjedhjeve të kaluara, të cilat KIPRED do t’ua prezantojë udhëheqësve institucional të procesit të reformës zgjedhore si dhe publikut të gjerë.

Britania e Madhe ka ndarë për këtë projekt rreth 79 mijë euro.